Vdekja që tronditi SHBA-në - Dugin: Lindsey Graham u vra nga Mossadi që të përshkallëzohet lufta me Iranin
Vdekja e papritur e senatorit amerikan Lindsey Graham ka shkaktuar debat të gjerë dhe një valë teorish në Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe Iran, ku figura politike dhe komentatorë të ndryshëm kanë ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e ndarjes së tij nga jeta.
Ndërsa komentatorja konservatore Laura Loomer, e njohur për afërsinë me presidentin Donald Trump, ka drejtuar dyshimet nga Rusia dhe Irani, mendimtari rus Alexander Dugin ka hedhur akuza në drejtim të Izraelit.
Graham humbi jetën të shtunën pas asaj që zyra e tij e cilësoi si një sëmundje të papritur dhe me zhvillim të shpejtë. Sipas informacionit paraprak të bërë publik nga stafi i senatorit, shkaku i vdekjes ishte një diseksion i aortës, i lidhur me sëmundje kardiovaskulare arteriosklerotike.
Diseksioni i aortës është një gjendje kritike, që shfaqet kur krijohet një çarje në shtresën e brendshme të aortës, arteries më të madhe të trupit, dhe mund të çojë në pasoja fatale brenda një kohe shumë të shkurtër.
Megjithatë, shpjegimi mjekësor nuk i ka ndalur spekulimet.
Alexander Dugin, filozofi dhe ideologu rus që në mediat perëndimore përshkruhet shpesh si një prej figurave me ndikim në rrethin e Vladimir Putinit, sugjeroi se pas vdekjes së Grahamit mund të qëndronte shërbimi sekret izraelit, Mossad.
Në një postim të publikuar dhe më pas të fshirë në platformën X, Dugin aludoi se eliminimi i mundshëm i senatorit mund të ishte përdorur si një mënyrë për të ushtruar presion ndaj Donald Trumpit dhe për ta shtyrë atë drejt rifillimit të një lufte të gjerë kundër Iranit.
“Vdekja e papritur e Lindsey Graham mund të jetë një sinjal i errët për Trumpin. Fillimisht dyshova te iranianët, por një operacion i Mossad-it për ta shtyrë Trumpin drejt një lufte të plotë me Iranin do të ishte më i besueshëm. Mesazhi do të ishte: ‘Ti je i radhës’. Lindsey Graham ishte hija e Trumpit, ana e tij e errët”, shkroi Dugin.
Pretendimet e tij nuk shoqëroheshin me prova dhe nuk janë mbështetur nga ndonjë informacion zyrtar.
Deklarata e Dugin bie ndesh edhe me reagimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e përkujtoi Grahamin si një nga mbështetësit më të fortë të Izraelit në politikën amerikane.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Netanyahu e cilësoi senatorin si një mik të afërt dhe një mbrojtës të palëkundur të aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
“Nuk kemi pasur mik më të mirë se Lindsey. Ai e kuptonte se siguria e Izraelit dhe ajo e Amerikës ishin të pandashme. Ia kushtoi jetën mbrojtjes së Amerikës, forcimit të aleancës sonë dhe mbrojtjes së botës së lirë. Izraeli humbi një nga miqtë e tij më të mëdhenj, Amerika një patriot të madh, ndërsa unë një mik të dashur”, deklaroi Netanyahu.
## Loomer ngre dyshime për helmim
Një tjetër version është hedhur nga Laura Loomer, e cila ka sugjeruar se Graham mund të jetë helmuar pas kthimit nga një vizitë e nivelit të lartë në Ukrainë, vetëm pak ditë përpara vdekjes.
Sipas saj, rrethanat kohore të ngjarjes dhe kërcënimet e mëparshme ndaj senatorit duhen hetuar më tej.
Loomer kujtoi se Alexander Dugin kishte përdorur gjuhë kërcënuese ndaj Grahamit rreth katër muaj më parë, ndërsa vetëm pesë ditë përpara vdekjes së tij, Garda Revolucionare Islamike e Iranit kishte bërë thirrje publike për eliminimin e senatorit.
“Duhet kujtuar se këshilltari i Putinit, Alexander Dugin, bëri thirrje katër muaj më parë që Lindsey Graham të ‘rrafshohej’. Vetëm pesë ditë më parë, IRGC kërkoi publikisht vrasjen e tij. Ai ishte kthyer në SHBA prej më pak se 24 orësh, kur stafi njoftoi se kishte vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër dhe të papritur. A mund të jetë helmuar nga një kundërshtar i huaj?”, shkroi Loomer në platformën X.
Edhe këto pretendime mbeten të pakonfirmuara dhe deri tani nuk është bërë publik asnjë informacion zyrtar që të mbështesë një skenar helmimi apo ndërhyrjeje të huaj.
Autoritetet dhe zyra e senatorit vijojnë t’i referohen shkakut mjekësor të njoftuar, ndërsa spekulimet politike janë përhapur kryesisht në rrjetet sociale dhe në komentet e figurave të njohura për qëndrimet e tyre të forta gjeopolitike.