Lidhje


Eurodeputeti çek kërkon pezullimin e negociatave me Serbinë: “Me këtë retorikë nuk hyhet në BE”

 

Eurodeputeti çek Tomáš Zdechovský ka kërkuar që Serbia të përjashtohet nga procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, pas deklaratës së ministres serbe Snežana Paunović në mbështetje të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.

 

Zdechovský e cilësoi deklaratën “tronditëse dhe plotësisht të papranueshme”, duke theksuar se një vend kandidat nuk mund të bëhet pjesë e BE-së ndërsa anëtarë të qeverisë së tij përdorin një retorikë të tillë. Ai e krahasoi deklaratën me justifikimin e krimeve naziste kundër hebrenjve dhe kërkoi që Brukseli t’i dërgojë Beogradit një mesazh të prerë.

 

Paunović kishte deklaruar se, po të ishte në vendin e Slobodan Miloševićit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Deklarata është dënuar nga Bashkimi Europian, institucionet e Kosovës dhe përfaqësues të opozitës serbe. Kosova e ka shpallur ministren serbe përgjithmonë person të padëshiruar.

 

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi se ka depozituar kallëzim penal ndaj Paunovićit. Ajo i ka kërkuar Zyrës së Kryeprokurorit të ndërmarrë veprimet hetimore dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, ta procedojë çështjen me aktakuzë dhe kërkesë për dënim.

XS
SM
MD
LG