Lidhje


Nata e zjarrit në Rusi: dronët ukrainas godasin qendrat logjistike, 8 të vrarë dhe mbi 60 të plagosur

 

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 60 të tjerë janë plagosur pas një vale masive sulmesh me dronë ukrainas ndaj disa rajoneve të Rusisë, përfshirë zonën e Moskës dhe rajonin Tambov. Bilanci u rrit në tetë pasi një nga të plagosurit në rajonin e Moskës ndërroi jetë në spital.

 

Goditja më e rëndë ndodhi në qytetin Kotovsk, ku dronët goditën një qendër logjistike të kompanisë ruse të tregtisë elektronike Wildberries. Sipas guvernatorit të Tambovit, shtatë punonjës të turnit të natës u vranë në vend dhe 25 të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë.

 

Një tjetër qendër e Wildberries u godit në Elektrostal, rreth 50 kilometra në lindje të Moskës. Autoritetet lokale raportuan dhjetëra të plagosur dhe zjarre të mëdha, ndërsa mbetjet e një droni dëmtuan edhe një kopsht fëmijësh. Pamjet nga zona treguan re të mëdha tymi që ngriheshin mbi kompleksin industrial.

 

Në qytetin Noginsk, një sulm tjetër shkaktoi zjarr në një depo nafte. Dy persona u plagosën, ndërsa autoritetet evakuuan për arsye sigurie një maternitet dhe një ndërtesë banimi pranë objektit.

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se forcat ukrainase kishin goditur dy “qendra të rëndësishme logjistike” në rajonet e Moskës dhe Tambovit. Sipas tij, objektet përdoreshin për furnizimin me komponentë të importuar nën sanksione, të nevojshëm për prodhimin e dronëve dhe pajisjeve të navigimit.

 

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se mbrojtja ajrore kishte kapur 379 dronë gjatë natës mbi 19 rajone ruse, Krimenë e aneksuar, Detin e Zi dhe Detin Azov. Shifrat e palëve nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

 

Sulmet ukrainase u shoqëruan nga bombardime të reja ruse ndaj Ukrainës. Në Odesa, një sulm mbi infrastrukturën portuale vrau një person, plagosi tre të tjerë dhe goditi një anije civile me flamurin e Antiguas dhe Barbudës, sipas autoriteteve ukrainase.

XS
SM
MD
LG