Nuk nisi më 7 tetor/ 12 vjet nga vrasja e katër djemve Bakr në plazhin e Gazës, askush nuk u ndëshkua
Një postim i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje vrasjen e katër djemve palestinezë të familjes Bakr, të goditur nga forcat izraelite ndërsa luanin në plazhin e Gazës më 16 korrik 2014. Mesazhi shoqërues, “Dhe thonë se gjithçka nisi më 7 tetor”, synon të kujtojë se viktimat civile palestineze dhe përplasjet në Gaza i paraprijnë luftës së nisur pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023.
Viktimat ishin kushërinjtë Ahed Atef Bakr, Zakaria Ahed Bakr, Mohammed Ramez Bakr dhe Ismail Mohammed Bakr, të gjithë të moshës nga 9 deri në 11 vjeç. Ata po luanin pranë portit të peshkatarëve në perëndim të qytetit të Gazës, gjatë ofensivës izraelite të njohur si “Operation Protective Edge”.
Sipas dëshmive të gazetarëve ndërkombëtarë që ndodheshin në hotelin Al-Deira, goditja e parë ra mbi një objekt pranë molit. Fëmijët nisën të vraponin drejt hotelit, por rreth 40 sekonda më vonë një tjetër predhë shpërtheu pranë tyre. Katër djemtë humbën jetën, ndërsa gjashtë civilë të tjerë u plagosën, mes tyre katër fëmijë të së njëjtës familje.
Ushtria izraelite deklaroi fillimisht se synonte pjesëtarë të Hamasit dhe e cilësoi vdekjen e fëmijëve një “rezultat tragjik”. Hetimi i brendshëm ushtarak u mbyll në qershor 2015 pa akuza penale, me arsyetimin se zona konsiderohej një kompleks i forcave detare të Hamasit dhe se personat e vëzhguar ishin identifikuar gabimisht si luftëtarë.
Komisioni i Pavarur Hetimor i OKB-së për luftën e vitit 2014 deklaroi se kishte tregues të fortë se veprimet izraelite mund të mos kishin qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ngriti pikëpyetje mbi plotësinë e hetimit. Organizatat palestineze të të drejtave të njeriut argumentuan se dëshmitë e gazetarëve dhe të personave që ndodheshin në plazh nuk ishin shqyrtuar siç duhej.
Familjet e viktimave vijuan betejën ligjore, por në prill 2022 Gjykata Supreme e Izraelit refuzoi kërkesën për rihapjen e hetimit. Gjykata vlerësoi se incidenti ishte hetuar në mënyrë të plotë, ndërsa organizatat që përfaqësonin familjen deklaruan se vendimi mbylli përfundimisht rrugën për përgjegjësi penale brenda sistemit izraelit.
Dymbëdhjetë vjet pas goditjes, emrat dhe fotografitë e katër djemve po risillen në rrjetet sociale si simbol i fëmijëve palestinezë të vrarë përpara 7 tetorit 2023 dhe si kujtesë e një çështjeje për të cilën nuk është dënuar asnjë person.