“Shansi i fundit për të ndryshuar” – Andy Burnham merr drejtimin e laburistëve dhe marshon drejt Downing Street
Andy Burnham është zgjedhur zyrtarisht lider i Partisë Laburiste, pasi doli kandidati i vetëm në garën për pasardhësin e Keir Starmer. Zgjedhja e tij përbën hapin e fundit përpara marrjes së detyrës së kryeministrit të Britanisë së Madhe, që pritet të zyrtarizohet të hënën.
Në fjalimin e parë përpara konferencës së posaçme të laburistëve, Burnham vlerësoi Starmerin për rikthimin e partisë në pushtet, por paralajmëroi se kjo është “mundësia e fundit” për të ndryshuar drejtimin e vendit dhe për t’u rikthyer shpresën qytetarëve.
Lideri i ri premtoi një qeverisje “qartësisht dhe autentikisht laburiste”, duke theksuar se pushteti duhet të zhvendoset nga Westminsteri drejt rajoneve dhe komuniteteve që, sipas tij, janë lënë pas dore prej dekadash.
Programi i Burnhamit parashikon më shumë kontroll publik mbi shërbimet thelbësore, përfshirë ujin, energjinë, transportin dhe banesat. Ai ka premtuar gjithashtu programin më të madh të ndërtimit të banesave sociale që prej periudhës së pasluftës, si dhe një strategji për riindustrializimin e Britanisë.
Burnham tha se qeveria e tij do të jetë njëkohësisht probiznes dhe e përqendruar te përmirësimi i jetesës së njerëzve të zakonshëm. Ai pritet të shpallë kabinetin e ri pasi të marrë zyrtarisht drejtimin e qeverisë.