Përhapet lufta/ SHBA godet Tabrizin, shpërthime në Bushehr e Isfahan – një i vrarë
Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar hartën e sulmeve ajrore ndaj Iranit, ndërsa gjatë mëngjesit të së hënës shpërthime dhe goditje u raportuan në disa zona të vendit, nga Bushehri në jug deri në Tabriz në veriperëndim. Në Tabriz, një zonë ushtarake në jugperëndim të qytetit u godit nga forcat amerikane, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Autoritetet e provincës së Azerbajxhanit Lindor konfirmuan se shpërthimi i fuqishëm i dëgjuar në qytet lidhej me sulmin ndaj objektit ushtarak. Tabrizi besohet se strehon baza nëntokësore raketore të Gardës Revolucionare iraniane.
Pothuajse në të njëjtën kohë, guvernatori i Bushehrit njoftoi se disa lokacione në këtë qytet jugor ishin sulmuar. Përmasat e dëmeve dhe objektivat e goditura mbeteshin ende nën hetim. Bushehri ka rëndësi të veçantë strategjike, pasi në provincë ndodhet centrali i vetëm bërthamor civil në funksion i Iranit, por deri tani nuk ka konfirmim se centrali është goditur në këtë valë sulmesh.
Një shpërthim i fortë u dëgjua gjithashtu në Isfahan, në Iranin qendror. Mediat iraniane raportuan ngjarjen, por burimi dhe shkaku i shpërthimit nuk janë përcaktuar. Për këtë arsye, nuk është konfirmuar ende nëse episodi në Isfahan ishte pjesë e bombardimeve amerikane.
Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se operacionet e fundit përbënin natën e nëntë radhazi të goditjeve ndaj Iranit. Sipas CENTCOM-it, objektivat përfshinin qendra komanduese, sisteme të mbrojtjes ajrore, instalime të vëzhgimit bregdetar, kapacitete detare, baza lëshimi raketash dhe dronësh, si dhe rrjete komunikimi ushtarak.
Sulmi në Tabriz shënon një zgjerim të dukshëm të fushatës drejt veriut të Iranit, pasi vala e goditjeve të ditëve të fundit ishte përqendruar kryesisht në zonat jugore dhe bregdetare. Shpërthime të tjera u raportuan në Chabahar, Konarak, Bandar Mahshahr dhe Bandar Imam Khomeini.
Zhvillimet vijnë pas raportimit të televizionit publik izraelit KAN se Uashingtoni kishte informuar Izraelin për synimin që ta intensifikonte fushatën ushtarake kundër Iranit. Sipas raportimit, SHBA-ja po përpiqet ta mbajë Izraelin jashtë fazës aktuale të përshkallëzimit, ndërsa ka shtuar avionët furnizues, pajisjet dhe municionet në rajon.
Pavarësisht bombardimeve dhe kundërsulmeve iraniane ndaj bazave amerikane në rajon, kontaktet diplomatike nuk janë ndërprerë plotësisht. Teherani ka konfirmuar se ka marrë propozime të reja nga ndërmjetësit, ndërsa marrëveshja e përkohshme e ndërmjetësuar nga Pakistani në qershor konsiderohet tashmë praktikisht e rrëzuar nga rikthimi i luftimeve.