Lidhje


Përshkallëzohet lufta tregtare - Donald Trump i vendos tarifa 50% Kanadasë

 

Marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë kanë hyrë në një fazë të re tensioni, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 50% ndaj një game të gjerë produktesh kanadeze. Shtëpia e Bardhë e justifikoi vendimin duke akuzuar Kanadanë për “trajtim të padrejtë” ndaj automjeteve amerikane, produkteve të qumështit dhe pijeve alkoolike.

 

Masat e reja do të hyjnë në fuqi brenda 30 ditëve dhe prekin importe me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, ose rreth 5.2% të mallrave që SHBA importoi nga Kanadaja gjatë vitit 2025. Tarifat do të zbatohen për një gamë të gjerë mallrash, nga çimentoja dhe materialet e ndërtimit deri te vera, pijet alkoolike dhe pajisjet sportive, përfshirë ato të hokejit.

 

Megjithatë, administrata amerikane ka përjashtuar nga kjo masë disa sektorë të konsideruar strategjikë për ekonominë e SHBA-së, si energjia, potasi (kaliumi), mineralet kritike dhe produktet e peshkimit. Sipas autoriteteve amerikane, tarifat do të zbatohen edhe për produktet që mbulohen nga Marrëveshja SHBA-Kanada-Meksikë (USMCA).

 

“Pavarësisht përpjekjeve tona për të arritur marrëveshje tregtare të drejta dhe reciproke, Kanadaja vazhdon të ndërmarrë masa hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer. Kryeministri kanadez, Mark Carney, reagoi menjëherë, duke e cilësuar vendimin si një tjetër veprim të njëanshëm të Uashingtonit.

 

Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Carney tha se Kanadaja do të intensifikojë negociatat me SHBA-në në javët e ardhshme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. Ai akuzoi administratën amerikane se po shkel Marrëveshjen SHBA-Kanada-Meksikë (USMCA), ndërsa përmendi edhe deklaratat e mëparshme të Donald Trump për mundësinë që Kanadaja të bëhej “shteti i 51-të” i SHBA-së, duke i cilësuar ato si kërcënim ndaj sovranitetit të vendit.

 

Mosmarrëveshjet që vazhdojnë prej vitesh

 

Përplasjet tregtare mes dy vendeve nuk janë të reja. Aktualisht, SHBA-ja mban tarifa nga 15% deri në 50% për çelikun, aluminin dhe bakrin kanadez, 35% për lëndën drusore dhe 25% për pjesët e automjeteve që nuk prodhohen në Amerikën e Veriut.

 

Nga ana tjetër, Kanadaja ka vendosur tarifa hakmarrëse prej 25% për një sërë produktesh amerikane.

 

Një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjes mbetet industria e automobilave. Trump akuzon Kanadanë se diskriminon prodhuesit amerikanë përmes taksave mbi automjetet dhe pjesët që nuk mbulohen nga marrëveshja USMCA.

 

Edhe sektori i produkteve të qumështit vazhdon të jetë burim tensionesh. Sistemi kanadez i menaxhimit të furnizimit kufizon importet e huaja dhe, në disa raste, vendos tarifa që mund të arrijnë deri në 300% për produktet që tejkalojnë kuotat e lejuara. Administrata Trump e mbështeti vendimin në Seksionin 338 të Aktit të Tarifave të vitit 1930, i cili lejon vendosjen e masave kundër praktikave tregtare diskriminuese.

 

Vendimi vjen pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi së fundmi disa tarifa të mëparshme të vendosura nga administrata Trump, duke argumentuar se presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij.

 

Ndërkohë, bizneset në të dy anët e kufirit kanë shprehur shqetësim për pasojat ekonomike të përshkallëzimit të konfliktit tregtar. Presidentja e Dhomës Kanadeze të Tregtisë, Candace Laing, kërkoi rifillimin e dialogut përpara hyrjes në fuqi të tarifave, ndërsa Këshilli Amerikan i Pijeve të Distiluara paralajmëroi se masat e reja mund të nxisin një valë të re kundërpërgjigjesh tregtare, me pasoja për prodhuesit, eksportuesit dhe konsumatorët në të dy vendet.

XS
SM
MD
LG