Fatura e luftës me Iranin shpërthen në 37.5 miliardë dollarë, Pentagoni paralajmëron krizë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se kostoja e drejtpërdrejtë e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka arritur në 37.5 miliardë dollarë, rreth 8 miliardë më shumë se vlerësimi i administratës Trump në muajin maj.
Shifra përfshin shpenzimet për operacionet dhe mirëmbajtjen deri në fund të shtatorit, por nuk llogarit pasojat më të gjera ekonomike. Moody’s Analytics vlerëson se kostoja e përgjithshme për ekonominë amerikane mund të arrijë deri në 150 miliardë dollarë, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe efekteve të tjera të konfliktit.
Pentagoni ka kërkuar një buxhet mbrojtjeje prej 1.5 trilion dollarësh, ku afro 70 miliardë parashikohen për luftën me Iranin. Hegseth paralajmëroi se rezervat amerikane të municioneve po vihen nën presion dhe se nevojiten fonde urgjente për raketa, bomba JDAM, armë hipersonike dhe sisteme kundër dronëve.
Deklaratat vijnë ndërsa luftimet janë intensifikuar pas shembjes së armëpushimit të përkohshëm. SHBA-ja ka kërcënuar me goditjen e infrastrukturës energjetike dhe objekteve nëntokësore iraniane, ndërsa Teherani është zotuar të vazhdojë sulmet ndaj bazave dhe interesave amerikane në Lindjen e Mesme.