Shpërthen kriza në opozitën turke: Özel braktis CHP-në dhe krijon parti të re
Udhëheqësi i opozitës turke, Özgür Özel, ka njoftuar largimin nga Partia Republikane Popullore dhe krijimin e një force të re politike, duke thelluar përçarjet brenda opozitës së Presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Vendimi erdhi pasi një gjykatë anuloi kongresin e CHP-së të vitit 2023, i hoqi Özelit postin e kryetarit dhe riktheu në drejtim ish-liderin Kemal Kılıçdaroğlu. Gjykata e argumentoi vendimin me parregullsi në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të partisë.
Gjatë një fjalimi në Parlament, Özel tha se largimi nuk përbën dorëzim përballë presionit politik, por nisjen e një forme të re opozitarizmi. Ai premtoi se do të vijojë mbështetjen për kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem İmamoğlu, dhe atë të Ankarasë, Mansur Yavaş.
Zhvillimi vjen në një periudhë tensionesh të forta politike në Turqi, ku qindra zyrtarë dhe përfaqësues lokalë të opozitës janë arrestuar ose hetuar. Opozita i cilëson këto procese si të motivuara politikisht, ndërsa qeveria turke këmbëngul se gjyqësori është i pavarur.