SHBA vendos tarifa deri në 12.5% për Bashkimin Europian dhe Kinën
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja ndaj 60 partnerëve të tyre tregtarë, duke i akuzuar se nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të bllokuar importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar. Administrata e presidentit Donald Trump njoftoi se tarifat, që variojnë nga 10% deri në 12.5%, hynë në fuqi më 24 korrik dhe prekin ekonomi të mëdha si Bashkimi Evropian, Kina, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia dhe India.
Sipas Uashingtonit, vendet që kanë zbatuar ndalimet ndaj produkteve të prodhuara me punë të detyruar do t'i nënshtrohen një tarife 10%, ndërsa pjesa tjetër do të paguajë 12.5%. Masat mbështeten në Seksionin 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974. Ky është hapi më i fundit në luftën tregtare të administratës Trump, e cila vazhdon politikën tarifore edhe pas vendimit të Gjykatës Supreme që rrëzoi një pjesë të masave të mëparshme.
Vendimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme. Brazili e cilësoi masën "arbitrare" dhe paralajmëroi kundërmasa, ndërsa Japonia dhe Australia shprehën kundërshtimin e tyre, duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut.