Athina ngre “kupolën” izraelite prej 3.5 miliardë eurosh: “Mburoja e Akilit” do të përgjojë raketa, avionë dhe dronë
Greqia ka miratuar një paketë të gjerë armatimesh me vlerë deri në 3.5 miliardë euro, në qendër të së cilës qëndron sistemi i ri shumështresor i mbrojtjes ajrore dhe raketore, i quajtur “Mburoja e Akilit”. Vendimi u mor nga Këshilli Qeveritar grek për Politikën e Jashtme dhe Mbrojtjen, KYSEA, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, deklaroi se sistemi synon ta mbrojë territorin grek nga raketat balistike, avionët luftarakë, dronët dhe mjete të tjera pa pilot.
Bërthama teknologjike e “Mburojës së Akilit” do të përbëhet nga radarë dhe sisteme raketore të kompanive izraelite Rafael Advanced Defense Systems dhe Israel Aerospace Industries. Sistemi do të bashkojë informacionin e marrë nga sensorë të ndryshëm, do të identifikojë e klasifikojë kërcënimet dhe do t’u sugjerojë qendrave komanduese reagimin më të përshtatshëm në kohë reale.
Dendias deklaroi se sistemi duhet të jetë plotësisht funksional brenda 35 muajve. Të paktën 25 për qind e tij do të prodhohet ose realizohet nga industria greke e mbrojtjes, me një pjesëmarrje të vlerësuar në rreth 700 milionë euro.
Paketa e miratuar nuk kufizohet vetëm te mbrojtja ajrore. Athina ka autorizuar gjithashtu blerjen e tre avionëve transportues C-390 Millennium, të prodhuar nga kompania braziliane Embraer dhe që do të sigurohen përmes një marrëveshjeje shtetërore me Portugalinë. Avioni i parë pritet të dorëzohet në vitin 2027. Përveç transportit të personelit, C-390 mund të përdoret edhe për furnizimin e avionëve luftarakë në ajër dhe si spital fluturues.
Greqia do të blejë edhe 10 mjete nënujore VICTA për transportimin e forcave speciale. Dy do të prodhohen në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa tetë të tjerat parashikohet të ndërtohen në kantieret greke.
Në paketë përfshihen gjithashtu:
dhjetë sisteme të tjera amerikane V-BAT, me ngritje dhe ulje vertikale;
një sistem tjetër izraelit Heron 1 për vëzhgim dhe transmetim të të dhënave;
sisteme elektronike kundër mjeteve pa pilot;
mikrosatelitë me radar për fotografim të territorit pavarësisht kushteve atmosferike;
raketa të drejtuara me lazer Hellfire për helikopterët Apache;
përmirësimi i aftësive kundër nëndetëseve të katër fregatave greke MEKO.
Aktualisht, mbrojtja ajrore e Greqisë mbështetet te sistemet amerikane Patriot dhe sistemet më të vjetra ruse S-300. “Mburoja e Akilit” synon t’i lidhë kapacitetet e reja dhe ato ekzistuese në një rrjet të vetëm të komandimit, zbulimit dhe përgjigjes.
Projekti është pjesë e programit të madh të modernizimit ushtarak të Athinës, që parashikon investime prej rreth 28 miliardë eurosh deri në vitin 2036. Në këtë plan përfshihet blerja e avionëve amerikanë F-35, fregatave të reja dhe sistemeve të avancuara të mbikëqyrjes e luftës elektronike.
Greqia shpenzon afro 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, një ndër nivelet më të larta në NATO. Modernizimi lidhet si me ndryshimin e natyrës së luftës pas përhapjes së dronëve dhe raketave, ashtu edhe me rivalitetin e kahershëm greko-turk në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Athina dhe Tel Avivi kanë thelluar ndjeshëm bashkëpunimin ushtarak gjatë viteve të fundit, përmes stërvitjeve të përbashkëta, një qendre trajnimi ajror në territorin grek dhe marrëveshjeve për sisteme kundër dronëve, raketa dhe siguri kibernetike.