Takime vendimtare në Uashington? Trump do të presë Netanyahun dhe Zelenskyn
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të presë këtë të martë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në një moment kur luftërat në Iran dhe Ukrainë kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa marrëdhëniet e tij me dy liderët kanë marrë drejtime të ndryshme, raportoi Reuters.
Sipas agjencisë, marrëdhëniet mes Trump dhe Zelenskyt janë përmirësuar në javët e fundit, ndërsa Ukraina ka arritur të frenojë përparimin e forcave ruse në front.
Ndërkohë, Netanyahu mbërrin në Uashington në një klimë më të ndërlikuar politike. Në Shtëpinë e Bardhë është shtuar pakënaqësia për mungesën e përparimit drejt një zgjidhjeje më të gjerë të konfliktit me Iranin, ndërsa një pjesë e mbështetësve të Trump kanë shprehur kundërshtimin ndaj përfshirjes më të thellë të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Kjo është vizita e shtatë e Netanyahut në Shtetet e Bashkuara që prej rikthimit të Trump në presidencë, më shumë se çdo lider tjetër i huaj gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, kryeministri izraelit mbërrin në Uashington në një moment sfidues politik, teksa kërkon rizgjedhjen dhe përpiqet të stabilizojë marrëdhëniet e tendosura me administratën amerikane.