Publikohen audiot konfidenciale, Biden dëgjohet duke pranuar mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara
Republikanët në Kongresin amerikan publikuan regjistrime audio ku Joe Biden dëgjohet duke pranuar se kishte në zotërim materiale të klasifikuara pas largimit nga posti i nënpresidentit. Audiot janë regjistruar gjatë bisedave me shkrimtarin Mark Zwonitzer, teksa përgatitej libri i tij i kujtimeve “Promise Me, Dad”.
Në një prej regjistrimeve të vitit 2017, Biden thotë se kishte gjetur “gjëra të klasifikuara”, ndërsa në një audio tjetër deklaron se zotëronte shënime për të cilat Shtëpia e Bardhë nuk kishte dijeni.
Regjistrimet ishin përdorur gjatë hetimit të vitit 2024 nga prokurori special Robert Hur. Ky i fundit konstatoi se Biden i kishte mbajtur dokumentet në mënyrë të papërshtatshme, por nuk rekomandoi ngritjen e akuzave.
Përfaqësuesit e Bidenit e cilësuan publikimin e audiove si përdorim politik të Departamentit të Drejtësisë, ndërsa republikanët pretendojnë se redaktimet në regjistrime synojnë të fshehin zbulimin e informacioneve të klasifikuara.