Fidan: Pakti i Mekës është si Neni 5 i NATO-s, aleanca do të zgjerohet
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka deklaruar se Marrëveshja e Mbrojtjes së Përbashkët e Mekës mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit funksionon, në parimin e mbrojtjes kolektive, në mënyrë të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s. Sipas tij, marrëveshja synon të rrisë fuqinë parandaluese të tri vendeve dhe parashikon mbështetje reciproke në rast sulmi.
Fidan theksoi se pakti nuk është drejtuar kundër Iranit apo ndonjë shteti tjetër, duke deklaruar se asnjë vend që nuk sulmon anëtarët e marrëveshjes nuk konsiderohet objektiv. Ai tha se ndihma në rast krize mund të përfshijë inteligjencë, logjistikë, municione dhe, në një fazë më të avancuar, edhe njësi ushtarake, në varësi të kërcënimit dhe vendimeve të strukturave të aleancës.
Marrëveshja parashikon krijimin e një strukture politike dhe ushtarake me përfaqësues të diplomacisë, mbrojtjes dhe ushtrive të vendeve anëtare, si dhe një sekretariat me qendër në Arabinë Saudite. Bashkëpunimi do të shtrihet te stërvitjet e përbashkëta, shkëmbimi i inteligjencës, logjistika dhe veçanërisht industria e mbrojtjes.
Fidan bëri të qartë gjithashtu se Turqia synon që aleanca të mos mbetet vetëm mes tri vendeve themeluese. Ai tha se ka edhe shtete të tjera të interesuara dhe përmendi Egjiptin si një kandidat të mundshëm për një fazë të ardhshme. Sipas tij, objektivi më i gjerë është krijimi i një arkitekture rajonale sigurie, ku vendet e rajonit të mbështeten më shumë tek njëra-tjetra dhe më pak te fuqitë e jashtme.