Lidhje


Netanyahu sfidon Trumpin: Izraeli refuzon planin për Gazën

 

Përplasja mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është thelluar mbi mënyrën se si duhet të zbatohet faza e ardhshme e planit për Gazën.

 

Netanyahu deklaroi më 9 gusht se Izraeli nuk e pranon dokumentin me 15 pika të propozuar në kuadër të planit amerikan dhe se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga Gaza përpara çarmatimit të plotë të Hamasit. Ai theksoi se Izraeli është i gatshëm të kundërshtojë edhe aleatët e tij më të afërt kur bëhet fjalë për çështje që i konsideron jetike për sigurinë kombëtare.

 

Qëndrimi i Netanyahut bie ndesh me linjën e administratës Trump, e cila kërkon që çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja izraelite të zhvillohen në mënyrë graduale dhe të koordinuar, zonë pas zone. Sipas mekanizmit amerikan, pasi një territor të konsiderohet i çarmatosur dhe i sigurt, forcat izraelite duhet të tërhiqen nga ai sektor.

 

Trump kishte deklaruar më herët se Izraeli ishte dakord me këtë formulë dhe e kishte paraqitur marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të Gazës. Refuzimi publik i Netanyahut ka nxjerrë kështu në pah një mosmarrëveshje të drejtpërdrejtë mes dy palëve për rendin e veprimeve: Uashingtoni kërkon një proces paralel të çarmatimit dhe tërheqjes, ndërsa Netanyahu kërkon çarmatimin e plotë të Hamasit përpara çdo tërheqjeje izraelite.

 

Megjithatë, përplasja nuk është shndërruar ende në një çarje të plotë politike mes Uashingtonit dhe Tel Avivit. Izraeli ka reduktuar disa operacione ushtarake në Gaza pas kërkesave amerikane, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar publikisht me tone të ashpra ndaj deklaratave të Netanyahut.

 

Në Izrael, qëndrimi i kryeministrit mbështetet veçanërisht nga krahu i djathtë i koalicionit qeverisës, i cili kundërshton çdo tërheqje nga Gaza përpara çarmatimit të plotë të Hamasit. Për këtë arsye, përplasja me Trumpin shihet njëkohësisht si një konflikt real mbi strategjinë në Gaza dhe si pjesë e presionit të brendshëm politik ndaj Netanyahut.

XS
SM
MD
LG