Lidhje


“Jemi shahistë profesionistë”, Irani sfidon Trumpin për Hormuzin

 

Irani ka bërë të qartë se Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet plotësisht pa plotësimin e kushteve që Teherani i ka vendosur Shteteve të Bashkuara, mes tyre heqja e bllokadës ndaj porteve iraniane, lehtësimi i sanksioneve, lirimi i aseteve të ngrira dhe kompensimi për dëmet e luftës.

 

Përplasja është shoqëruar edhe me një shkëmbim të fortë retorik. Donald Trump e krahasoi përballjen dhe negociatat me Iranin me një lojë shahu, duke deklaruar se Uashingtoni po ushtron presion dhe po vëzhgon situatën ekonomike të Teheranit.

 

Përgjigjja iraniane erdhi të hënën nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, i cili deklaroi se “iranianët treguan se janë lojtarë profesionistë shahu”, duke ia kthyer Trumpit metaforën që presidenti amerikan kishte përdorur një ditë më parë.

 

Teherani këmbëngul se është pala amerikane ajo që duhet të ndryshojë kurs, ndërsa paralajmëron se për sa kohë vazhdon bllokada detare amerikane nuk ekzistojnë kushtet për ta konsideruar Hormuzin një rrugë ujore të sigurt dhe të rihapur normalisht.

 

Ndërkohë, Trump ka sinjalizuar se po favorizon për momentin presionin ekonomik dhe negociatat, në vend të një vale të menjëhershme sulmesh të reja, pasi më herët kishte deklaruar se SHBA do të frenonte një operacion të ri ushtarak nëse arrihej marrëveshje për Iranin dhe rihapjen e Hormuzit.

 

Kështu, Hormuzi është kthyer në tabelën kryesore të “shahut” mes Uashingtonit dhe Teheranit: SHBA kërkon rihapjen e korridorit strategjik, ndërsa Irani po e përdor kontrollin mbi ngushticën si levë për të kërkuar lëshime ekonomike dhe politike nga Uashingtoni.

XS
SM
MD
LG