Trump u fsheh mes ngarkesave: operacioni i pabesueshëm për ta nxjerrë nga Turqia
Presidenti amerikan Donald Trump është larguar në fshehtësi nga Turqia gjatë samitit të NATO-s në korrik, pas një kërcënimi të konsideruar të besueshëm nga Irani ndaj jetës së tij, sipas raportimeve të Washington Post dhe New York Times.
Operacioni u organizua në mënyrë që të krijohej përshtypja se Trump po udhëtonte drejt Britanisë me avionin e vjetër Air Force One. Presidenti hipi në avion përpara kamerave në Ankara, por pak minuta më vonë u transferua fshehurazi drejt një C-32A të Forcave Ajrore amerikane, ndërsa gazetarët dhe madje disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë vazhdonin të besonin se ai ndodhej në avionin presidencial.
Sipas raportimeve, transferimi u krye përmes një mjeti që përdoret zakonisht për ngarkimin e furnizimeve në avionë, në mënyrë që lëvizja e presidentit të mos binte në sy. Gazetarëve që udhëtonin me Air Force One iu kërkua gjithashtu të mbanin të mbyllura perdet e dritareve.
Avioni që transportonte realisht Trumpin mbërriti në Britani vetëm pak minuta përpara Air Force One. Presidenti u transferua më pas sërish në avionin presidencial, duke krijuar përshtypjen se kishte udhëtuar gjatë gjithë kohës me të.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë hollësi mbi natyrën konkrete të kërcënimit iranian, por drejtori i komunikimit Steve Cheung deklaroi se administrata përdor çdo mjet në dispozicion për mbrojtjen e presidentit përballë kërcënimeve të sigurisë.
Operacioni konsiderohet i pazakontë për nga niveli i mashtrimit operacional, por precedentë të ngjashëm janë përdorur edhe më parë nga presidentët amerikanë në udhëtime të konsideruara me rrezik të lartë.