Lidhje


Erdoğan: Egjipti mund t’i bashkohet Paktit të Mekës, do ta vizitoj Sirinë dhe do të mbështesim Gazën

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka thënë se Egjipti mund t’i bashkohet marrëveshjes së mbrojtjes të nënshkruar së fundmi nga Türkiye, Arabia Saudite dhe Pakistani në Mekë, duke zgjeruar potencialisht kuadrin e sigurisë kolektive të kësaj marrëveshjeje.

 

Duke folur për Al Jazeeran, presidenti Erdoğan tha në një intervistë të publikuar të shtunën se Marrëveshja e Mekës është e hapur edhe për shtete të tjera dhe se nënshkruesit janë të detyruar të ndërmarrin veprime të koordinuara nëse ndonjë anëtar përballet me agresion të jashtëm.

 

Pakti i ri i mbrojtjes kolektive, i nënshkruar nga të tre vendet, përcakton se një sulm i armatosur ndaj njërit prej anëtarëve do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.

 

Marrëveshja e Përbashkët e Mbrojtjes së Mekës, e nënshkruar më 7 gusht, synon të forcojë parandalimin rajonal dhe autonominë strategjike, në një kohë kur vazhdon lufta e përbashkët Tel Aviv-Uashington kundër Iranit, sulmet e Izraelit ndaj Libanit dhe Sirisë, si dhe lufta gjenocidale në Palestinë.

 

Udhëheqësi turk tha se Ankaraja po i jep përparësi përpjekjeve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se vazhdimi i mbylljes së saj nuk i shërben interesit të askujt.

 

Ai gjithashtu vlerësoi Katarin për rolin e rëndësishëm ndërmjetësues në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit më të gjerë në rajon.

 

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë e regjistruar ndonjëherë, që para konfliktit nxirrte nga tregu rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë,ne çoi çmimin e naftës Brent mbi 100–130 dollarë për fuçi, rriti inflacionin global dhe ngadalësoi rritjen e PBB-së.

 

Ndërsa ekonomitë aziatike që varen nga importet e energjisë u goditën më së shumti, rezervat dhe masat mbrojtëse ekonomike shmangën një recesion të plotë.

 

Erdoğan: Do ta vizitoj Sirinë

 

Presidenti turk theksoi se Siria nuk do të mbetet e vetme, duke u zotuar se Türkiye do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbështetur stabilitetin e vendit dhe duke njoftuar se planifikon ta vizitojë Sirinë në periudhën e ardhshme.

 

Kurdët sirianë janë përballur me vite presioni nën regjimin e rrëzuar të Bashar al-Assadit dhe nga organizata terroriste PKK/YPG.

 

Erdoğani theksoi se edhe kurdët e Sirisë do ta kenë pjesën e tyre në paqe dhe stabilitet, duke shtuar se Ankaraja do të vazhdojë t’i forcojë marrëdhëniet me kurdët dhe të mbrojë të drejtat e tyre në të gjithë rajonin.

XS
SM
MD
LG