Lidhje


Rusia ngre baza sekrete dronësh, NATO në rrezen e godtjes

 

Rusia ka ngritur dhe zgjeruar një rrjet bazash për lëshimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi pranë kufijve perëndimorë, duke krijuar kapacitete që, në rast të një konflikti më të gjerë, mund të përdoren edhe kundër territorit të NATO-s. Kjo është ajo që pretendon një investigim i britanikes “The Telegraph”, bazuar në dokumente, imazhe satelitore dhe analizën e specialistëve të teknologjisë së dronëve.

 

Investigimi ka identifikuar 10 zona ruse me infrastrukturë të re për lëshimin e dronëve, ndërsa përgjatë kufijve me Ukrainën dhe Bjellorusinë janë lokalizuar të paktën 59 platforma ose shina lëshimi. Rreth 20 prej tyre, sipas analizës së kompanisë DroneSec, kanë përmasa që mund të mundësojnë përdorimin e varianteve më të avancuara të dronëve sulmues rusë me rreze të gjatë.

 

Disa prej këtyre bazave po përdoren tashmë në luftën kundër Ukrainës. Shqetësimi për NATO-n lidhet me zhvillimin e shpejtë të varianteve ruse të dronëve iranianë Shahed, disa prej të cilëve raportohet se mund të godasin objektiva deri në rreth 1.000 kilometra larg. Nga pozicione të caktuara të identifikuara në investigim, kjo rreze do të përfshinte edhe objektiva brenda Polonisë, përfshirë Varshavën.

 

Megjithatë, investigimi nuk paraqet prova se Moska po përgatit aktualisht një sulm me dronë ndaj NATO-s. Rëndësia e zbulimit qëndron te kapaciteti ushtarak që po ndërtohet dhe te mundësia që kjo infrastrukturë të përdoret përtej Ukrainës në rast të një përshkallëzimi të ardhshëm.

 

Një zyrtar i NATO-s, i cituar nga “The Telegraph”, deklaroi se Aleanca është e gatshme të mbrojë “çdo centimetër” të territorit të saj dhe se po rrit gatishmërinë për t'iu përgjigjur kërcënimeve, përfshirë ato që vijnë nga dronët.

 

Zgjerimi i rrjetit shoqërohet edhe me rritjen e prodhimit rus. Një rol të rëndësishëm luan kompleksi industrial i Alabugës, ku prodhohen në shkallë të gjerë dronë të familjes Shahed/Geran. Zhvillimet tregojnë se Moska po ndërton jo vetëm një arsenal për luftën aktuale në Ukrainë, por edhe një infrastrukturë sulmuese me rreze veprimi që prek drejtpërdrejt llogaritjet e sigurisë së vendeve të NATO-s në Evropën Lindore.

XS
SM
MD
LG