Lidhje


Turqia nuk tërhiqet nga Siria: Ankaraja u përgjigjet kërcënimeve të Netanyahut

 

Ankaraja ka bërë të qartë se nuk do të ndryshojë politikën e saj në Siri pas goditjes izraelite ndaj bazës Abu al-Duhur. Në reagimin më të fundit zyrtar, kreu i Komunikimit të Presidencës turke, Burhanettin Duran, i cilësoi kërcënimet e Benjamin Netanyahut ndaj Turqisë dhe Sirisë si pasqyrim të “izolimit ndërkombëtar, frikës politike dhe iluzioneve” të kryeministrit izraelit. Duran deklaroi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Sirisë dhe vendeve të rajonit kundër politikave që Ankara i konsideron destabilizuese.

 

Edhe Ministria turke e Mbrojtjes konfirmoi se mbështetja për rindërtimin e kapaciteteve ushtarake siriane do të vazhdojë, sipas parimit të “një ushtrie”. Ankara mohoi se kishte personel apo delegacion ushtarak turk në Abu al-Duhur para ose gjatë bombardimit izraelit dhe e cilësoi sulmin si cenim të sovranitetit, integritetit territorial dhe stabilitetit të Sirisë.

 

Qëndrimi turk vjen pasi Netanyahu pranoi se sulmi ndaj bazës siriane kishte për qëllim të pengonte atë që Izraeli e konsideron zgjerim ushtarak të Turqisë në Siri. Nga këndvështrimi i Ankarasë, pretendimi se Abu al-Duhur po kthehej në një bazë turke nuk qëndron: edhe Damasku deklaron se baza po rehabilitohej për Forcat Ajrore siriane dhe se Izraeli ishte informuar paraprakisht se aty nuk parashikohej një prani e përhershme turke.

 

Mediat turke këtë mëngjes po e lexojnë përshkallëzimin edhe përmes politikës së brendshme izraelite. Yeni Şafak e paraqet lëvizjen e Netanyahut si përpjekje për ta kthyer Turqinë në një “armik” të ri përpara zgjedhjeve, ndërsa Habertürk ka ngritur drejtpërdrejt pyetjen nëse Netanyahu po kërkon një përplasje me Turqinë. Në të njëjtën linjë, Duran deklaroi se Ankaraja do të mbetet “e matur, gjakftohtë dhe e fuqishme” dhe se nuk do të lejojë askënd të cenojë sigurinë e Turqisë apo të aleatëve të saj.

 

Mesazhi i Ankarasë është tashmë i qartë: bombardimet izraelite nuk do ta detyrojnë Turqinë të heqë dorë nga mbështetja për forcimin e shtetit dhe ushtrisë siriane.

XS
SM
MD
LG