Rusia pretendon se situata e serbëve në Kosovë është bërë katastrofike
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, pretendoi se situata e serbëve në Kosovë është përkeqësuar dhe se ndaj tyre po zhvillohet "terror i qëllimshëm dhe sistematik", transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse, Zakharova, pretendoi se ndaj serbëve në Kosovë po zhvillohet "terror i qëllimshëm dhe sistematik"
Ajo e cilësoi situatën të çuditshme pasi, sipas saj, "presioni bazuar në përkatësi etnike" po ushtrohet nga Kosova, me "miratimin" e pranive ndërkombëtare të vendosura në Kosovë nën kujdesin e NATO-s, BE-së dhe OKB-së.
Zakharova pretendoi se situata e serbëve në Kosovë është bërë katastrofike, se po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa sistemi i drejtësisë në Kosovë "po ngre në mënyrë masive" raste penale dhe po zhvillon fushata frikësimi.
Zëdhënësja përmendi gjithashtu raste të përdorimit "dukshëm joproporcional të forcës, përfshirë torturën, si dhe shembjen e pronave serbe", duke iu referuar aksionit për rrënimin e shtëpive të ndërtuara në Ujman.
- "BE-ja ka dështuar në zbatimin e marrëveshjeve për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë"
Duke iu referuar vendimit të fundit të KFOR-it për të zvogëluar praninë e njësive të tij në disa vende në Kosovë, përfshirë urën mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut dhe Manastirit të Deçanit, Zakharova përpjekjet për të justifikuar këtë veprim duke pretenduar se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar, i cilësoi si "cinike dhe të papërgjegjshme".
"Është e qartë se Policia e Kosovës nuk do t'i mbrojë në asnjë rrethanë serbët dhe do të përdorë arsenalin e saj të plotë të mjeteve represive kundër tyre me rastin e parë", u shpreh ajo.
Ajo kritikoi gjithashtu Bashkimin Evropian (BE), duke e akuzuar Brukselin se ka dështuar në zbatimin e marrëveshjeve të viteve 2013-2015 për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
"Kontingjenti shumëkombësh i vendosur në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të vazhdojë të përmbushë plotësisht detyrat e tij", tha Zakharova, duke kërkuar mospërfshirjen e forcave të sigurisë së Kosovës.
Ajo i bëri thirrje Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) të zbatojë plotësisht mandatin e tij dhe u kërkoi organizatave ndërkombëtare të marrin masa për të parandaluar atë që e cilësoi si "katastrofë humanitare" në Kosovë.