Lidhje


Irani: Teherani dhe Bagdadi të përdorin monedhat kombëtare për të goditur dollarin

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, i ka bërë thirrje Teheranit dhe Bagdadit që të kryejnë tregtinë dypalëshe duke përdorur monedhat e tyre kombëtare, për t’i “dhënë goditje” dollarit amerikan.

Qalibaf i ka bërë komentet gjatë një takimi me biznesmenë iranianë dhe irakianë në Ambasadën e Iranit në Bagdad të enjten, detajet e të cilit u publikuan të premten nga ICANA, agjencia e lajmeve e lidhur me Parlamentin iranian.

 

“Sot mund të kryejmë tregti duke përdorur monedhat kombëtare dhe t’i japim goditje dollarit amerikan”, ka thënë Qalibaf.

Ai ka pretenduar se epoka e dominimit amerikan mbi botën ka përfunduar, por ka thënë se Irani dhe Iraku nuk kanë arritur të përfitojnë sa duhet nga mundësitë e reja dhe vazhdojnë ta kryejnë tregtinë duke përdorur metoda që datojnë prej 50 vjetësh.

 

Qalibaf, i cili e nisi vizitën e tij në Irak të mërkurën, ka thënë se Uashingtoni dhe Izraeli e kanë kuptuar se nuk mund ta mposhtin Iranin dhe Irakun përmes luftës konvencionale dhe për këtë arsye i janë drejtuar “luftës konjitive dhe ekonomike”.

Duke hedhur poshtë pretendimet se Irani po kërkon luftë, Qalibaf ka thënë se ata që e kanë përjetuar konfliktin e kuptojnë vlerën e paqes më shumë se ata që vetëm flasin për të.

 

Ai ka argumentuar gjithashtu se diplomacia mund të jetë efektive vetëm kur mbështetet nga gatishmëria ushtarake.

“Ne besojmë se diplomacia ka vlerë dhe ecën përpara kur jemi të përgatitur për luftë. Nëse nuk jemi të përgatitur për luftë, askush nuk do të na përgjigjet kur përdorim diplomacinë”, ka deklaruar Qalibaf.

XS
SM
MD
LG