Editorial i The Guardian/ Si po shkërmoqet në pak muaj shteti autokratik i Orbanit
Ndonjëherë disa zgjedhje janë më të rëndësishme se të tjerat. Që prej marrjes së detyrës në maj, kryeministri i ri hungarez, Péter Magyar, ka ndërmarrë programin më ambicioz dhe më spektakolar të transformimit të vendit që nga rënia e komunizmit në vitin 1989. Paraardhësi i tij, Viktor Orbán, kishte vendosur një autokraci të kamufluar, e cila lulëzonte falë korrupsionit duke shtrirë, për plot gjashtëmbëdhjetë vjet ndikimin e saj mbi shumicën e aspekteve të jetës hungareze, nga feja te kultura dhe mediat. Ky regjim po çmontohet me një ritëm të jashtëzakonshëm.
Javën e kaluar, një president i ri mori detyrën pas shkarkimit të Tamás Sulyok, i cili u akuzua nga zoti Magyar se kishte toleruar dhe mbështetur dobësimin e shtetit të së drejtës në vend. Në të kundërt, pasardhësi i tij, András Baka është një ish-kryetar i Gjykatës së Lartë të Hungarisë, i cili ishte shkarkuar nga regjimi i Orbánit; një vendim që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e kishte cilësuar të paligjshëm.
Të enjten e kaluar, në ditën e festës kombëtare të Hungarisë, edicionet informative u rikthyen në kanalin kryesor televiziv publik, pas gjashtë javësh ndërprerjeje. Në korrik, telespektatorët kishin parë një ekran të zi me mesazhin: «Mediat publike nuk duhet të gënjejnë. Na vjen keq që e kemi bërë këtë për kaq gjatë.» Dhënia fund e njëanshmërisë së hapur të mediave shtetërore ishte një nga angazhimet kryesore të zotit Magyar gjatë një fushate në të cilën ai sfidoi një sistem zgjedhor që anonte në favor të zotit Orbán dhe arriti një fitore dërrmuese.
Ritmi ka qenë po aq i pandalshëm edhe në luftën kundër rrjeteve të korrupsionit dhe klientelizmit të ngritura gjatë rreth pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Më shumë se 100 miliardë euro fonde publike, përfshirë miliarda euro nga fondet evropiane, dyshohet se janë përvetësuar gjatë qeverisjes së Orbánit. Hetuesit janë autorizuar të ndjekin këto raste përmes një Zyre të re Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Aseteve.
Zoti Magyar ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e Hungarisë në Prokurorinë Publike Evropiane, duke i mundësuar kështu BE-së të mbrohet më mirë nga krimi financiar në vend.
Do të duhet kohë që Hungaria të rikthehet në pamjen e një demokracie normale, pluraliste evropiane. Për momentin, zoti Magyar po vepron si një uragan i vërtetë politik, në krye të asaj që duket si një qeveri e unitetit kombëtar, e zgjedhur nga votues të të gjitha krahëve politikë.
Janë ngritur shqetësime lidhur me manovrat kushtetuese që synojnë të pengojnë shumë deputetë të Fidesz-it të zotit Orbán që të rikandidojnë (kufizimi deri në 3 mandate), ndërsa zoti Baka ka paralajmëruar se s'do të qëndrojë indiferent ndaj çdo tentative revanshi kundër mbështetësve të ish-kryeministrit. Megjithatë, një qasje radikale për ta çliruar Hungarinë nga ndikimi i Orbánit ishte e nevojshme dhe ajo vazhdon të shpërblehet me nivele rekord të popullaritetit në sondazhe.
Hapi i ardhshëm i rëndësishëm pritet të hidhet këtë vjeshtë. Brukseli i ka dhënë qeverisë së re hungareze afat deri në fund të muajit për të dëshmuar se po ndërmerren masa të mjaftueshme kundër korrupsionit, në mënyrë që të justifikohet zhbllokimi i më shumë se 10 miliardë eurove fonde të ngrira. Nëse, siç duket e mundshme, pjesa dërrmuese e këtyre fondeve do të disbursohet, kjo do të vulosë afrimin në vazhdim mes BE-së dhe ish-shtetit të saj problematik.
Në maj, zoti Magyar e zhvendosi zyrën e kryeministrit nga ish-manastiri karmelit i i mbyllur për publikun dhe i përdorur nga zoti Orbán, duke hapur kështu dyert e kësaj godine për njerëzit. «Nuk jam zgjedhur thjesht për të ndryshuar qeverinë, por për të ndryshuar regjimin», u kishte deklaruar ai gazetarëve pak kohë pasi mori pushtetin.
Tre muaj më vonë, ky simbol po merr formë konkrete përmes një revolucioni politik paqësor.