Tension në Egje: Turqia paralajmëron Greqinë për bazën e dronëve në Rodos
Turqia ka kundërshtuar planin e Greqisë për ngritjen e një baze për dronë ushtarakë në ishullin Rodos, duke deklaruar se një hap i tillë do të cenonte statusin e demilitarizuar të ishullit dhe do të dëmtonte paqen e stabilitetin në Egje. Ministria turke e Mbrojtjes tha se militarizimi i Rodosit bie ndesh me detyrimet e Greqisë sipas traktateve ndërkombëtare dhe paralajmëroi se Ankaraja do të vazhdojë të mbrojë interesat dhe të drejtat e saj.
Në të njëjtën kohë, Turqia përshëndeti vendimin e Athinës për të zhvendosur sistemet Patriot nga Karpathosi në Kretë, duke e konsideruar këtë një hap pozitiv drejt uljes së militarizimit të ishujve. Ankaraja deklaroi se mbështet çdo veprim që, sipas saj, respekton traktatet dhe ndihmon në ruajtjen e stabilitetit në rajon.