Lidhje


Putin dhe Erdogan shpallin “epokën e re”: Moska dhe Ankaraja thellojnë aleancën strategjike

 

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan kanë vlerësuar nivelin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Ankarasë gjatë takimit të zhvilluar në Bishkek të Kirgistanit, në margjinat e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), transmeton Anadolu.

 

Putin e cilësoi Turqinë si një nga “partnerët e privilegjuar” të Rusisë në politikën e jashtme dhe në bashkëpunimin ekonomik, duke theksuar se shkëmbimet mes dy vendeve vazhdojnë të mbeten në nivele të larta. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e presidentit Erdogan në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve dhe nënvizoi vazhdimin e projekteve të mëdha të përbashkëta, veçanërisht Centralin Bërthamor Akkuyu.

 

“Ju keni vendosur si objektiv vënien në funksion të njësisë së parë të centralit këtë vit. Kjo do të realizohet”, deklaroi Putin.

 

Nga ana e tij, Erdogan tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë kanë arritur një nga nivelet më të avancuara të historisë së tyre. “Marrëdhëniet Turqi-Rusi janë vërtet në një nivel shumë më të avancuar sot se në çdo periudhë të mëparshme”, u shpreh ai.

 

Presidenti turk theksoi se projekti Akkuyu ka hyrë në fazën përfundimtare dhe sinjalizoi se bashkëpunimi energjetik me Rusinë mund të zgjerohet më tej. “Me hapjen e Centralit Bërthamor Akkuyu, do të ndërmarrim sërish hapa së bashku drejt hapjes së disa centraleve të reja”, deklaroi Erdogan.

 

Takimi Putin-Erdogan u zhvillua gjatë samitit të SCO-së në Bishkek, në kuadër të 25-vjetorit të organizatës, ku janë mbledhur liderë të vendeve anëtare dhe shteteve partnere.

XS
SM
MD
LG