Lidhje


Witkoff e Kushner nga Kievi: Paqe ende jo, por rihapet rruga e negociatave me Rusinë

 

Të dërguarit e Donald Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, përfunduan të dielën në Kiev disa orë negociata me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, vetëm një ditë pasi kishin zhvilluar mbi tre orë bisedime me Vtentative të ladimir Putinin në Kremlin. Vizita ishte e para e dy negociatorëve amerikanë në kryeqytetin ukrainas që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë dhe pjesë e një re të Uashingtonit për të ringjallur procesin e paqes, i cili kishte ngecur prej muajsh.

 

Rezultati i parë dhe më i rëndësishëm: nuk pati përparim vendimtar. Nuk u njoftua armëpushim, marrëveshje territoriale apo një paketë përfundimtare paqeje. Zelensky madje paralajmëroi se, në gjendjen aktuale, Ukraina pret që lufta të vazhdojë gjatë dimrit. Witkoff i quajti bisedimet “shumë domethënëse” dhe “thelbësore”, ndërsa Kushner foli për krijimin e një kuadri që do të prodhonte një paqe afatgjatë, por asnjëri nuk njoftoi një kompromis konkret mes Kievit dhe Moskës.

 

Megjithatë, amerikanët mbërritën në Kiev me ide të reja të diskutuara më parë me Putinin. Një zyrtar i lartë ukrainas i përshkroi propozimet e sjella nga Witkoff dhe Kushner si “më efektive” se versionet e mëparshme. Financial Times, megjithatë, raporton se një pjesë e tyre duket se riciklojnë elemente të planeve të mëparshme dhe se pika kryesore e bllokimit mbetet territori.

 

Pikërisht Donbasi mbetet nyja më e fortë e konfliktit. Zelensky konfirmoi pas takimit se çështjet territoriale vazhdojnë të jenë të pazgjidhura dhe tha se vendime të kësaj peshe mund të merren vetëm në nivel liderësh. Putin, nga ana tjetër, nuk ka dhënë deri tani sinjal se është tërhequr nga kërkesat ruse për territorin, neutralitetin ukrainas dhe kufizimet ndaj orientimit ushtarak të Kievit.

 

Ajo që realistisht avancoi ishte mekanizmi i negociatave. Kushner konfirmoi se amerikanët po punojnë për rikthimin e formatit trepalësh SHBA–Ukrainë–Rusi, ku palët do të uleshin drejtpërdrejt në të njëjtën tryezë në vend që Witkoff dhe Kushner të vazhdonin vetëm diplomacinë vajtje-ardhje mes Moskës dhe Kievit. Sot Kremlini dha sinjalin më të rëndësishëm pas vizitës: zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Rusia nuk e përjashton rifillimin e bisedimeve trepalëshe, megjithëse është ende herët për të folur për datë ose vend. Ai e quajti misionin amerikan një “hap të vogël drejt paqes”.

 

Bisedimet në Kiev u zhvilluan në tre raunde. Në raundin e fundit u përfshinë edhe këshilltarët e sigurisë kombëtare të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë. Palët ranë dakord që Ukraina, SHBA-ja dhe përfaqësuesit evropianë të takohen sërish së shpejti, megjithëse ende nuk është përcaktuar nëse takimi do të zhvillohet në Evropë, SHBA apo përsëri në Ukrainë.

 

Një pjesë shumë konkrete e bisedimeve nuk lidhej drejtpërdrejt me marrëveshjen e paqes, por me përgatitjen e Ukrainës për dimrin. Zelensky kërkoi më shumë sisteme dhe raketa Patriot, përforcim të mbrojtjes ajrore, mbështetje për sistemin energjetik dhe furnizime të konsiderueshme me LNG amerikan. U diskutuan gjithashtu garancitë e ardhshme të sigurisë, ruajtja e një ushtrie të fuqishme ukrainase dhe një “prosperity plan” për rindërtimin dhe ekonominë e Ukrainës pas luftës.

 

Pra, ajo që doli nga Kievi nuk është marrëveshja që Trump kërkon, por një ringjallje e procesit diplomatik. Witkoff dhe Kushner morën pozicionin e Putinit në Moskë, ia paraqitën Kievit, morën kundërpropozimet ukrainase dhe tani pritet që këto të kthehen përsëri në Uashington dhe Moskë. Vetë Kremlini sot ka pranuar publikisht mundësinë e fazës tjetër trepalëshe. Një telefonatë Trump–Putin pas raportimit të Witkoff dhe Kushner mbetet gjithashtu e mundshme, ndërsa burime amerikane kanë thënë se Trump synon të flasë më pas edhe me Zelenskyn.

XS
SM
MD
LG