Lidhje


Avioni më i madh në botë po vjen, synon të zgjidhë krizën energjetike

Bota po përballet me krizën e energjisë dhe zgjidhja shihet te “fermat e erës” - sipërfaqe të mëdha me turbina që do të prodhojnë energji. Por ka një problem. Përbërësit e këtyre turbinave janë shumë të mëdha dhe transporti i tyre kërkon shumë... energji. Zgjidhja, sipas një kompanie në Kolorado të Shteteve të Bashkuara, të quajtur Radia, është ndërtimi i avionit më të madh në histori! Avioni “WindRunner” do të ketë një mision të vetëm, dërgimin në adresën e kërkuar të fletëve të turbinave të erës 100 metra të gjata.Avioni parashikohet të punojë me energji të rinovueshme dhe mund të ulet edhe në një pistë me dhe, që mund të jetë e shkurtër deri në 1800 metra, diçka që asnjë aeroplan tjetër civil nuk mund ta arrijë.

 

“WindRunner” është parashikuar të ketë një kapacitet prej 7700 metra kub, hapësirë e mjaftueshme sa për të futur brenda 3 pishina olimpike. Kjo hapësirë është 12 herë më e madhe se sa ajo e një avioni Boeing 747-400.

 

“WindRunner” është 111 metra i gjatë, 38 më shumë se sa Boeing, ndërsa hapja e krahëve është 79,5 metra.

 

Ky mjet fluturues do t’ia kalojë edhe të famshmit Antonov An-225, i cili u shkatërrua në nisje të pushtimit rus të Ukrainës.

 

Kompania prodhuese thotë se, pavarësisht se përmasat e avionit janë rekord, teknologjia është ekzistuese, pasi pjesët e prodhimit janë ato që prodhohen në masë dhe kanë nivelin më të ulët të rrezikut sipas Administratës Federale Amerikane të Aviacionit.

 

Radia thotë se objektivi është që avioni të nisë fluturimet komerciale brenda vitit 2027, ku do të transportohen turbina ere mbi 100 metra të gjata, me përmasa XXL krahasuar me ato të prodhuara në seri, që janë 70 metra të gjata./Nga oranews.tv

XS
SM
MD
LG