Erdogan drejt Libisë pas 15 vitesh! Pakti i detit që përplas Turqinë me Greqinë dhe Egjiptin!
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pritet të rikthehet në Libi pas më shumë se 15 vitesh, në një vizitë me peshë të veçantë gjeopolitike, në mes të përplasjeve për kontrollin e zonave detare dhe burimeve energjetike në Mesdheun Lindor. Erdogan do të marrë pjesë më 8 dhe 9 dhjetor në Samitin Turqi-Afrikë, në Tripoli, ndërsa vizita e tij është konfirmuar nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Vizita vjen pas një kthese të rëndësishme politike në Libi. Më 20 tetor, Parlamenti i Libisë lindore, i lidhur me kampin e Khalifa Haftarit, miratoi marrëveshjen detare turko-libiane të vitit 2019, të cilën e kishte kundërshtuar për vite me radhë. Marrëveshja përcakton kufijtë e pretenduar të juridiksionit detar mes dy vendeve, duke shkaktuar kundërshtimin e Greqisë, Egjiptit dhe Qipros, të cilat e konsiderojnë atë në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave të tyre detare.
Kthesa më domethënëse qëndron te afrimi i Ankarasë me të dyja kampet rivale libiane. Turqia, e cila në vitin 2019 mbështeti ushtarakisht qeverinë e Tripolit kundër forcave të Haftarit, tashmë ka zgjeruar marrëdhëniet edhe me autoritetet e Bengazit. Ministri Fidan deklaroi se Ankaraja po i përdor lidhjet me të dyja palët për të ndihmuar bashkimin politik të Libisë.
Vizita e Erdoganit, e para që nga shtatori i vitit 2011, pritet kështu të shërbejë jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve turko-afrikane, por edhe për konsolidimin e ndikimit diplomatik dhe strategjik të Turqisë në Libi. Në qendër të kësaj lëvizjeje mbetet marrëveshja e diskutueshme detare, e cila vijon të jetë burim përplasjesh mes Ankarasë, Athinës dhe Kajros.