Lidhje


Alarm bërthamor në NATO! Rusia dyshohet se përgatit “Sputnik-S”, Rutte: “Do të mbrojmë çdo centimetër!”

 

Shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë ngritur alarmin se Rusia mund të lëshojë brenda javëve të ardhshme një satelit të pajisur me armë bërthamore, i aftë të shkatërrojë ose të nxjerrë jashtë funksionit satelitët perëndimorë. Sipas një investigimi të përbashkët të mediave gjermane NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung, sateliti i quajtur “Sputnik-S” dyshohet se është ndërtuar prej vitesh dhe mbahet në rajonin e Moskës. Vlerësimet e inteligjencës, të shpërndara në fillim të nëntorit mes disa vendeve të NATO-s, paralajmërojnë mundësinë e lëshimit të tij brenda 60 ditëve.

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, reagoi nga Berlini duke deklaruar: “Ne do të sigurohemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Kjo përfshin edhe sigurinë tonë në hapësirë.” Në krah të tij, kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi kërcënimin e raportuar si tregues të nivelit të përshkallëzimit për të cilin Moska mund të jetë e gatshme. Një shpërthim bërthamor në orbitë mund të paralizonte komunikimet satelitore, navigimin GPS dhe sistemet ushtarake, me pasoja të rënda edhe për infrastrukturën civile.

 

Moska i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar akuza të pabazuara dhe pjesë të një fushate propagandistike. Deri më 24 nëntor, lëshimi i satelitit dhe pajisja e tij me armë bërthamore nuk janë konfirmuar publikisht. Megjithatë, raportimet kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të rivalitetit ushtarak mes Rusisë dhe NATO-s në hapësirën kozmike.

XS
SM
MD
LG