Kryeministri australian kërkon përgjegjësi nga Izraeli për vrasjen e aktivistes humanitare në Gaza
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, kërkoi përgjegjësi nga Izraeli për vrasjen e një punonjësi humanitar australian në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
"Australia pret përgjegjësi të plotë për vdekjet e punonjësve humanitarë, gjë që është plotësisht e papranueshme", tha kryeministri australian në një deklaratë për media.
Deklarata e tij erdhi pasi shtatë persona që punonin për Kuzhinën Qendrore Botërore (World Central Kitchen-WCK), u vranë të hënën në një sulm ajror izraelit në automjetin e tyre në qytetin Deir al-Balah në Rripin qendror të Gazës.
Nga Zyra Qeveritare për Media në Gaza thanë se Izraeli goditi një ekip të huaj që përbëhet nga një shtetas britanik, polak dhe australian, një person me shtetësi të paidentifikuar, si dhe një palestinezi nga Gaza.
Fotografitë që u shfaqën në llogaritë palestineze të mediave sociale treguan pasaportat e të huajve që u vranë në sulmin ajror, përfshirë nga Australia, Polonia dhe Britania e Madhe, si dhe trupa të vdekur me veshje të WCK-së.
Albanese konfirmoi vdekjen e punonjëses humanitare Lalzawmi "Zomi" Frankcom dhe përcolli ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e saj.
"Punonjësit humanitarë dhe atyre që bëjnë punë humanitare, si dhe të gjithë civilëve të pafajshëm, duhet t'u sigurohet mbrojtje", theksoi ai, duke shtuar se Australia tashmë ka kontaktuar drejtpërdrejt me qeverinë izraelite.
"E vërteta është se kjo është përtej çdo rrethane të arsyeshme që dikush që shkon të ofrojë ndihmë humanitare duhet të humbasë jetën. Në këtë automjet ndodheshin katër punonjës humanitarë, si dhe një shofer palestinez", tha Albanese, duke shtuar:
"Kjo është një tragjedi njerëzore që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, që është plotësisht e papranueshme"./Nga AA