GJND, filluan seancat dëgjimore në rastin ku Gjermania akuzohet se ndihmon gjenocidin e Izraelit
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) filloi seancat dëgjimore mbi rastin e Nikaraguas kundër Gjermanisë, duke akuzuar Berlinin për lehtësimin e "gjenocidit" në Gaza duke ofruar mbështetje politike dhe ushtarake për Izraelin, raporton Anadolu.
Në fjalën e tij hapëse, ambasadori i Nikaraguas Carlos Jose Arguello Gomez tha se vendi i tij kërkon nga gjykata që të urdhërojë Gjermaninë të ndalojë mbështetjen për Izraelin në luftën në Gaza.
"Rasti para nesh përfshin ngjarje të rëndësishme që ndikojnë në jetën dhe mirëqenien e qindra mijëra njerëzve, madje edhe shkatërrimin e një populli të tërë", tha ai, duke shtuar:
"Shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe normave të tjera urdhëruese të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin, po ndodhin në Palestinë".
Ambasadori theksoi se duke i dhënë mbështetje politike dhe ushtarake Izraelit, Gjermania po shkel Konventën e Gjenocidit të vitit 1948 dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare.
"Nikaragua kërkon nga gjykata të urdhërojë që Gjermania të ndërpresë mbështetjen për Izraelin në fushatën e tij të shkatërrimit të popullit palestinez", tha ai.
Qeveria gjermane mbetet një nga mbështetësit më të fuqishëm të ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza, pavarësisht presionit publik në rritje. Kancelari Olaf Scholz ka thënë vazhdimisht se Gjermania mban përgjegjësi të veçantë për Izraelin për shkak të historisë naziste.
Berlini miratoi eksportet e armëve në Izrael në vlerë prej 326,5 milionë euro në vitin 2023, shumica e të cilave u miratuan pas 7 tetorit 2023, një rritje dhjetëfish krahasuar me vitin 2022.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake në Gaza që nga një sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afro 1200 izraelitë.
Që atëherë, në Gaza janë vrarë rreth 33.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe pothuajse 75 mijë janë plagosur. Gjithashtu është shkaktuar një shkatërrim masiv, zhvendosje dhe mungesë e madhe e gjërave elementare.
Izraeli ka vendosur gjithashtu një bllokadë shkatërruese ndaj Rripit të Gazës, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët e pjesës veriore./Nga AA