Lidhje


Deputeti i PE-së, Pineda: Izraeli shënjestron veçanërisht gazetarët në Gaza

Deputeti i Parlamentit Evropian (PE), Manu Pineda tha se "Izraeli ashtu sikurse çdo kriminel nuk dëshiron që askush të jetë dëshmitar i krimeve të tij. Si një prej prioriteteve të tij dëshiron të vrasë gazetarët".

 

Pineda, deputeti spanjoll dhe kreu i delegacionit të PE-së për Marrëdhëniet me Palestinën, mbajti një konferencë për media në PE lidhur me sulmet e Izraelit kundër gazetarëve.

 

Gazetari i AA-së rikujtoi vrasjen e kameramanit të Agjencisë Anadolu (AA), Montaser Al-Sawaf, nga sulmi ajror izraelit javën e kaluar dhe shtroi pyetjen "A mundet Izraeli të mbulojë masakrën e tij në Gaza duke vrarë gazetarë?".

 

Eurodeputeti Pineda dha përgjigjen se "Izraeli ashtu si çdo kriminel nuk dëshiron që askush të jetë dëshmitar i krimeve të tij. Si një prej prioriteteve të tij dëshiron të vrasë gazetarët. Izraeli ka vrarë 65 gazetarë në Gaza. Kjo është një shifër shumë e madhe", tha ai.

 

Vret edhe familjet e gazetarëve

 

Duke vënë theksin se Izraeli vret edhe familjet e gazetarëve, Pineda theksoi se në këtë mënyrë synon që t'i detyrojë ata (gazetarët) të mos kryejnë punët e tyre.

 

"Izraeli përfiton nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar", tha Pineda duke shtuar se "Duhet të bindim qeveritë tona se duhet ta detyrojnë Izraelin të respektojë ligjin ndërkombëtar".

 

Ai kritikoi faktin se liderët vazhdojnë t'i japin mbështetje të pakushtëzuar Izraelit ndërkohë që në rrugët e Evropës ka ende protesta dhe demonstrata në mbështetje të Palestinës.

 

Deputeti spanjoll në një fjalim që mbajti në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të PE-së më 22 nëntor, drejtoi kritika të ashpra ndaj administratës së BE-së. "Edhe sa fëmijë palestinezë duhet të vriten nga bombat e Izraelit që PE dhe BE të kërkojnë armëpushim?", tha Pineda.

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG