Lidhje


Tensionet e përhapjes së një konflikti në shkallë më të gjerë/Biden pret së shpejti një sulm të Iranit kundër Izraelit

Presidenti amerikan, Joe Biden pret së shpejti një sulm iranian kundër Izraelit. Ai e paralajmëroi Iranin me fjalë të qarta. Ministria e Jashtme në Berlin kërkoi që gjermanët të largohen nga Irani.

 

Presidenti amerikan, Joe Biden e pret shpejt një sulm të Iranit kundër Izraelit. Të premten ai tha, se pret që "kjo të ndodhë më shpejt e jo më vonë". Biden drejtoi një paralajmërim drejt lidershipit të Iranit. SHBA "do të mbështesin Izraelin, ne do të ndihmojmë të mbrojmë Izraelin dhe Irani nuk do të ketë sukses", theksoi presidenti amerikan. I pyetur nga media për mesazhin e tij për Iranin, ai tha shkurt: "Mos e bëni".

 

Këtë javë Biden i kishte siguruar Izraelit mbështetjen "e patundur" të SHBA. Para një sulmi të Iranit, SHBA bëri të ditur forcimin e prezencës ushtarake. Do të zhvendosen "kapacitete shtesë" në Lindjen e Mesme "për të forcuar kërcënimin rajonal dhe rritjen e mbrojtjes për forcat e armatosura amerikane", u tha në Uashington. Më parë edhe zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Kirby ishte shprehur se SHBA e quan "reale dhe të afërt" një sulm të Iranit.

 

 

Lidhjen e fortë të SHBA me Izraelin e theksoi edhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant pas një takimi me komandantin amerikan rajonal, Michael Erik Kurilla. "Ne qëndrojmë krah për krah." Gallant tha se "armiqtë tanë mendojnë se mund të përçajnë SHBA dhe Izraelin, por e kundërta ndodh, ata po na afrojnë më shumë dhe forcojnë lidhjet tona."

 

Ministria e Jashtme gjermane u drejton thirrje gjermanëve të largohen nga vendi

 

Ndërkohë Ministria e Jashtme në Berlin ka përforcuar thirrjen për gjermanët të largohen nga Irani. Ajo iu referua lëshimit të paralajmërimit për udhëtime për Iranin, Izraelin dhe zonat palestineze. "Tensionet aktuale në rajon, sidomos mes Izraelit dhe Iranit përmbajnë rrezikun e një shkallëzimi të papritur", thuhet në njoftimin e MPJ në Berlin.

 

Kancelari Scholz u shpreh të premten se merret "shumë seriozisht" rreziku i një sulmi iranian. Ai dhe ministrja e Jashtme, Baerbock kishin bërë gjithçka "që të mos arrihet deri tek veprimet luftarake". Zyra e kancelarit Scholz bëri të ditur, se ka përpjekje në konfliktin përshkallëzues për një rol ndërmjetësues të Kinës. Scholz, i cili zhvillon një vizitë treditore nga fundjava në Kinë, tha se "ne flasim në spektër të gjerë dhe të gjitha drejtimet."Irani deklaroi se do të hakmerret

 

 

Kreu shpirtëror i Iranit, Ajatollah Ali Khomenei kishte paralajmëruar Izraelin me shpagim pas një sulmi ndaj një konsullate iraniane në Damask, sulm që i ngarkohet Izraelit. Në këtë sulm u vranë dy gjeneralë të Gardës së Revolucionit dhe pesë anëtarë të trupës elitës iraniane. Ministri i Jashtëm izraelit, Izrael Katz paralajmëroi se "nëse Irani na sulmon nga territori i tij, Izraeli do të përgjigjet dhe do të sulmojë Iranin."

 

 

Në këtë linjë u shpreh edhe ministri i Mbrojtjes, Joav Gallant. Irani është mbështetës i deklaruar i organizatës islamiste Hamas, që nga SHBA, Izraeli, BE, Gjermania e vende të tjera kategorizohet si organizatë terroriste. Me sulmin e Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit me rreth 1170 viktima dhe 250 pengje, Hamasi bëri të shpërthejë lufta në Rripin e Gazës. Që atëherë Izraeli ka filluar një aksion masiv luftarak në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të kontrolluar nga Hamasi, që nuk verifikohen dot në mënyrë të pavarur, kanë humbur jetën rreth 33,600 palestinezë deri më tani./Dw

XS
SM
MD
LG