Zelensky i lutet Perëndimit për kundërajrorë, Rusia vijon sulmet ajrore
Qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa rrymë si pasojë e një vale të re sulmesh të mëdha ajrore që Rusia e kreu ndaj infrastrukturës së Ukrainës, duke e nxitur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, t’i lutet përsëri Perëndimit që t’ia japë Kievit sistemet kundërajrore për të cilët ka aq shumë nevojë.
Infrastruktura energjetike ishte caku kryesor i sulmeve raketore dhe me dronë nga Rusia në katër rajone ukrainase mëngjesin e së enjtes, tha ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko.
“Sistemet e transmisionit dhe objektet e gjeneratorëve në rajonet Harkiv, Zaporizhja, Lviv dhe Kiev u sulmuan. Punonjësit e energjisë po punojnë për t’i eliminuar pasojat”, tha Halushchenko në Facebook.
Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit rus, ishte përsëri caku kryesor i sulmeve ruse mëngjesin e së enjtes.
Zyrtarët lokalë raportuan për 10 sulme ajrore ruse në Harkiv.
Si pasojë e këtyre sulmeve, më shumë se 200.000 qytetarë mbetën pa rrymë në Harkiv, tha Oleksiy Kuleba, zëdhënësi i Presidencës ukrainase.
“Deri tani, nuk ka viktima. Informatat janë duke u përditësuar. Ne jemi duke i rregulluar prishjet në rrjetin energjetik”, tha shefi i administratës ushtarake në Harkiv, Oleh Synyehubov.
Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se sulmet shkaktuan telashe në linjat e rrymës dhe në transport publik.
Sulmet ruse në Harkiv janë rritur dukshëm javët e fundit. Terekhov tha së fundmi se raketave S-300 u nevojiten vetëm 40 sekonda për të arritur në Harkiv nga rajoni rus Belgorod.
Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia kreu sulme me shumë dronë dhe raketa, duke e dërrmuar sistemin kundërajror të Ukrainës.
“Disa nga raketat dhe [dronët] Shahed u rrëzuan. Fatkeqësisht, vetëm një pjesë e tyre”, tha Zelensky në Telegram.
Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës të veprojnë më shpejt dhe t’ia japin Ukrainës mjetet për ta mbrojtur veten./Nga EN