Presidenti i Kolumbisë akuzon Izraelin për mosrespektim të rezolutës së OKB-së për armëpushim
Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka akuzuar Izraelin për mosrespektim të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushim në Gaza, transmeton Anadolu.
Duke përmendur pamjet e sulmit të fundit të Izraelit në një kamp refugjatësh në Gaza në llogarinë e tij në "X" të dielën, Petro tha: "Ka filluar përsëri. Pas reagimit të fortë ndaj sulmeve të djeshme (të së shtunës), vrasja e fëmijëve dhe shkelja e rezolutës së armëpushimit të KS të OKB-së vazhdojnë. Shumica dërrmuese e njerëzimit dëshiron paqen".
Më 25 mars, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë, duke kërkuar armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të pengjeve dhe nevojën urgjente për të zgjeruar rrjedhën e ndihmave në Gaza.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.
Mbi 33.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe rreth 76.400 të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese ndaj shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Të shtunën vonë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash drejt Izraelit në përgjigje të sulmit të 1 prillit ndaj konsullatës iraniane në Damask.
Sulmi, në të cilin u vranë shtatë zyrtarë ushtarakë iranianë, duke përfshirë një komandant të lartë të IRGC-së, tërhoqi reagime të ashpra nga zyrtarët e qeverisë iraniane, të cilët u zotuan për një "përgjigje vendimtare"./Nga AA