Shefi i Hamasit vlerëson presidentin Erdoğan për mbështetjen e kauzës së Palestinës
Shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një bisedë me Anadolu ka vlerësuar mbështetjen e presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, për kauzën e Palestinës.
“Deklarata e presidentit Erdoğan gjatë takimit të grupit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), ku e përshkroi Hamasin si lëvizje kombëtare çlirimtare dhe e krahasoi atë me Kuva-yi Milliye, është padyshim një burim i krenarisë për ne dhe popullin palestinez”, tha Haniyeh për Anadolu, pas takimit të tij me presidentin Erdoğan në Istanbul.
Në mbledhjen e grupit të partisë së tij, presidenti Erdoğan kishte thënë se “Hamasi është ajo që Kuva-yi Milliye (Forcat Kombëtare aktive gjatë Luftë së Pavarësisë Turke 1918-1921) ishte në Türkiye gjatë Luftës Kombëtare. Ne e dimë patjetër se të thuash këtë do të vijë me një çmim”.
Haniyeh theksoi se Hamasi është një lëvizje që reziston për të çliruar tokat, vlerat e shenjta dhe popullin palestinez nga okupimi historik.
Duke theksuar lidhjet historike të Türkiyes me kauzën palestineze për shkak të pozicionit të saj rajonal dhe islamik, Haniyeh tha se komentet e presidentit Erdoğan pasqyrojnë ndërgjegjen e popullit turk, i cili e konsideron kauzën palestineze si të tyre, empatizojnë Gazën nga një perspektivë humanitare dhe qëndrojnë kundër shtypjes.
Shefi i Hamasit theksoi nevojën e bashkimit të përpjekjeve për të ndalur sulmet e sionistëve, të cilët qëndrojnë në këmbë me mbështetjen e SHBA-së.
Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin intelektual, historik dhe politik të presidentit Erdoğan dhe të popullit turk për kauzën palestineze.
“Ne ende e mbajmë mend presidentin Erdoğan që ngriti hartën e Palestinës gjatë fjalimit të tij në OKB dhe shpjegoi se si Palestina u pushtua gradualisht në përgjigje të Shimon Peres-it (ish-presidenti izraelit). Ne e monitorojmë nga afër, me një rëndësi të madhe, pozicionin e Türkiyes në rajon, politikat e saj rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe qëndrimin e saj ndaj kauzës palestineze dhe të Gazës”, tha Haniyeh.
Më tej, shefi i Hamasit njoftoi se gjatë takimit të tij dje me presidentin turk kanë diskutuar vendimet e marra në lidhje me kufizimet tregtare ndaj Izraelit dhe efektet e tyre në aktivitetin tregtar.
“Ky është një hap i rëndësishëm kundër armiqve sionistë që derdhin gjakun e grave, fëmijëve dhe palestinezëve të moshuar në sulmet në Gaza, kërcënojnë Rafahun me sulme tokësore dhe nuk i respektojnë vlerat e shenjta muslimane, veçanërisht xhaminë Al-Aksa në Kuds”, thekoi Haniyeh./AA