Lidhje


Shkencëtarët thonë se gripi do shkaktojë një pandemi të re, OBSH në alarm nga H5N1

H5N1 është patogjeni i gripit që ka më shumë gjasa të shkaktojë një pandemi të re në të ardhmen e afërt, sipas shkencëtarëve kryesorë.

 
Një sondazh ndërkombëtar, që do të publikohet fundjavën e ardhshme, do të zbulojë se 57 për qind e epidemiologëve besojnë se lloji i virusit të gripit do të jetë shkaku i shpërthimit të ardhshëm global të sëmundjes infektive vdekjeprurëse, raporton “Guardian”.
 

“Gripi ndodh çdo dimër. Ne mund t’i përshkruajmë këto epidemi si pandemi të vogla. Ato janë pak a shumë të kontrolluara sepse shtamet e ndryshme që i shkaktojnë nuk janë mjaft virulente, por kjo nuk do të jetë domosdoshmërish rasti përgjithmonë”, paralajmëroi John Salmanton-Garcia, një shkencëtar nga Universiteti i Këlnit.

 

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu shqetësimin për përhapjen alarmante të llojit H5N1 të gripit, i cili po shkakton miliona raste të gripit të shpendëve në mbarë botën, kujton “Guardian”.

 

Kjo epidemi ka nisur në vitin 2020 dhe ka çuar në ngordhjen ose vrasjen e dhjetëra milionë shpendëve, ka shkatërruar gjithashtu miliona shpendë të egër dhe së fundmi ky lloj është shfaqur edhe te gjitarët, të cilët mund të përbëjnë kërcënim për shëndetin e njeriut./Nga Euronews.al

XS
SM
MD
LG