BE premton miliona euro për Gazën
Saturday, 27 April 2024 15:05
Bashkimi Evropian tha se do të japë edhe 68 milionë euro për ndihmën e nevojshme humanitare për palestinezët në Gazë.
Ky territor është shkatërruar nga lufta që ka nisur mbi gjashtë muaj më parë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja – teksa Izraeli po sulmon territorin nga toka dhe ajri në kundërpërgjigje të sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Si pasojë e luftës, popullsia civile prej mbi 2 milionë banorësh e Gazës ka nevojë për ndihmë humanitare.
“Në dritë të përkeqësimit të vazhdueshëm të krizës së rëndë humanitare në Gazë dhe rritjes së kërkesave në terren për ndihmë, Komisioni Evropian po rrit fondet për të financuar mbështetjen për palestinezët e prekur nga lufta që po vazhdon”, u tha në deklaratën e BE-së.
“Kjo mbështetje bën që totali i ndihmës humanitare që BE-ja ka ofruar për palestinezët brenda Gazës dhe në mbarë rajonin më 2024 të arrijë në 193 milionë euro”./EN