Lidhje


Erdoğan: Nuk ka asnjë çështje mes Turqisë dhe Greqisë që nuk mund të zgjidhet

Pas takimit në Athinë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se nuk ka asnjë çështje midis Türkiyes dhe Greqisë që nuk mund të zgjidhet.

 

"Është shpresa jonë për të zgjidhur çështjet tona nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në kuadër të kornizës së ligjit ndërkombëtar", tha presidenti Erdoğan në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Mitsotakis.

 

"Do të jetë në interes të të gjithë rajonit që të arrihet një zgjidhje e drejtë, e përhershme dhe e qëndrueshme për çështjen e Qipros mbi bazën e realiteteve në ishull", theksoi presidenti turk.

 

Më tej, presidenti turk tha se duan të kthejnë Egjeun në një det paqeje dhe bashkëpunimi.

 

"Ne aspirojmë të japim shembull për botën me hapat e përbashkëta që do të bëjmë si Türkiye dhe Greqi", tha ai.

 

Lidhur me takimin me kryeministrin grek, Erdoğan tha se të dyja palët shkëmbyen mendime për qëndrimet e tyre në lidhje me Egjeun dhe Mesdheun Lindor.

 

"Ne u kemi kërkuar ministrave tanë të jashtëm të diskutojnë çështjet e lidhura (me këtë)", shtoi ai.

 

Erdoğan foli edhe për luftën e Izraelit në Rripin e Gazës, ku nga sulmet e pamëshirshme izraelite që nga 7 tetori janë vrarë të paktën 16.248 palestinezë dhe më shumë se 43.616 të tjerë janë plagosur.

 

"Shndërrimi i asaj që ndodhi në një ndëshkim kolektiv të popullit të Gazës, masakrimi i 17 mijë civilëve palestinezë të pafajshëm, prek ndërgjegjen", tha presidenti Erdoğan.

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG