Netanyahu: Nuk do të ketë fund të luftës në Gaza me shkëmbim të pengjeve
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë thirrjet për t’i dhënë fund ofensivës vdekjeprurëse në Rripin e Gazës në këmbim të një marrëveshjeje për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin, transmeton Anadolu. Netanyahu pretendoi se përfundimi i luftës së Gazës tani do ta mbante Hamasin në pushtet në enklavën e bllokuar.
“Hamasi mbetet i ngulitur në pozicionet e tij ekstreme, së pari ndër to kërkesa për të hequr të gjitha forcat tona nga Rripi i Gazës, për t’i dhënë fund luftës dhe për të lënë Hamasin në pushtet. Izraeli nuk mund ta pranojë këtë”, tha ai në një video-mesazh në X.
Kryeministri izraelit fajësoi raportet e mediave për dëmtimin e negociatave të shkëmbimit të pengjeve në Gaza dhe shkaktimin e “vuajtjeve të panevojshme” për familjet, sipas gazetës Yedioth Ahronoth.
Ai këmbënguli se Tel Avivi është gati të ndalojë luftimet në Gaza në mënyrë që të sigurojë lirimin e pengjeve të mbajtur nga grupi palestinez.
Deklaratat e tij erdhën ndërsa një delegacion i Hamasit po zhvillon bisedime në Egjipt për një armëpushim në Gaza dhe shkëmbim pengjesh me Izraelin./Nga AA