Kancelari gjerman: Do të mbrojmë çdo centimetër katror të territorit të NATO-s
Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi Rusinë kundër çdo lëvizjeje ushtarake drejt shteteve baltike dhe theksoi se NATO është e vendosur të mbrojë të gjithë aleatët, raporton Anadolu.
“Ne do të mbrojmë çdo centimetër katror të territorit aleat, këtë e bëra të qartë gjatë vizitës sime në shtetet baltike një ditë më parë, dhe dua ta përsëris sot”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Finlandës Alexander Stubb.
“Ne duam të forcojmë më tej krahun lindor të NATO-s. Objektivi është shumë i qartë: Duam të sigurohemi që Rusia të mos tundohet kurrë të testojë kufijtë dhe unitetin tonë”, theksoi Scholz.
Ai tha se Gjermania gjithashtu dëshiron të forcojë shtyllën evropiane brenda aleancës së NATO-s dhe se ata ndajnë pikëpamje të ngjashme me Finlandën për të gjitha këto çështje.
“Jam shumë i kënaqur që Finlanda është anëtare e NATO-s që nga viti i kaluar. Anëtarësimi në NATO forcon Finlandën, forcon Skandinavinë dhe forcon sigurinë tonë të përbashkët në Evropë”, shtoi kancelari gjerman./AA