Kryediplomati britanik: Të tmerrshme sulmet e ekstremistëve izraelitë ndaj autokolonave me ndihma për në Gaza
Sekretari i Jashtëm britanik tha se sulmet ndaj autokolonave të ndihmave që transportojnë ushqime në Gaza janë “të tmerrshme”, duke i bërë thirrje Izraelit që të kërkojë llogari këta “ekstremistë”, transmeton Anadolu.“Sulmet e ekstremistëve ndaj autokolonave të ndihmave në rrugë për në Gaza janë të tmerrshme”, shkroi David Cameron në X, duke theksuar se banorët e Gazës janë në rrezik të urisë dhe në nevojë të dëshpëruar për furnizime.Një video që qarkulloi në mediat sociale të hënën tregonte kolonët e paligjshëm izraelitë duke bllokuar automjetet dhe duke hedhur kuti me ndihma ushqimore në pikën e kontrollit Tarqumiya, në perëndim të El-Halilit (Hebron) në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Kamionët që transportonin ushqime u dogjën më vonë.
“Izraeli duhet t’i mbajë përgjegjës sulmuesit dhe të bëjë më shumë për të lejuar ndihmën. Unë do të ngre shqetësimet e mia me qeverinë izraelite”, shtoi Cameron.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake në Gaza që nga një sulm ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin Tel Avivi thotë se u vranë rreth 1.200 njerëz.
Më shumë se 35.000 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 78.700 të tjerë janë plagosur, krahas shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.
Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në gërmadha, ndërsa 85 për qind e popullsisë së enklavës është detyruar në zhvendosje të brendshme mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA