Egjipt: Në gatishmëri për të mbrojtur sigurinë e tij kombëtare
Respektimi i traktateve nuk e pengon Egjiptin të përdorë “të gjithë skenarët për të mbrojtur sigurinë e tij kombëtare dhe të drejtat historike të palestinezëve “, sipas rrjetit televiziv egjiptian Al Qahera News duke cituar një zyrtar të lartë, pa e përmendur emrin e tij.
Tensioni në marrëdhëniet e Egjiptit me Izraelin është rritur për shkak të operacionit ushtarak izraelit në Rafah dhe në periferi të qytetit që ndodhet në skajin jugor të Rripit të Gazës , shumë afër kufirit egjiptian.
Egjipti dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje paqeje në 1979 dhe kanë bashkëpunuar ngushtë për çështjet e sigurisë prej vitesh. Megjithatë, Kajro ka paralajmëruar se operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës mund të dëmtojnë marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Izraelit. Ai gjithashtu thekson se operacionet në Rafah po pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare që i nevojiten dëshpërimisht popullatës së enklavës palestineze të rrethuar.
Ushtria izraelite njoftoi më 7 maj se kishte marrë nën kontroll anën palestineze të pikës kufitare në Rafah , që lidh Rripin e Gazës me Egjiptin. Burime të shërbimeve egjiptiane të sigurisë theksuan se Kajro kundërshton praninë e forcave ushtarake izraelite në vend dhe kërkon largimin e tyre.
Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, Egjipti ka shprehur shqetësimin se operacionet ushtarake izraelite mund të shtyjnë banorët e enklavës palestineze përtej kufijve të saj./faxweb.al