Blinken: Shumë vende mund të ndihmojnë në administrimin e Gazës pas luftës
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se shumë vende mund të ndihmojnë në garantimin e sigurisë dhe administrimin e Rripit të Gazës pasi Izraeli të ndalë sulmet, transmeton Anadolu.Blinken foli në seancën e Komitetit për ndarjen e buxhetit të Senatit që u mbajt lidhur me buxhetin për vitin 2025 të Departamentit.
Lidhur me pyetjet e anëtarëve të Senatit nëse do të luajnë apo jo rol Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në administrimin e Rripit të Gazës pas përfundimit të sulmeve të Izraelit, Blinken theksoi se shumë vende mund të ndihmojnë potencialisht në garantimin e sigurisë dhe administrimin e Rripit të Gazës.
"Besoj se shumë vende mund të luajnë një rol si instrument, të paktën përkohësisht për të ndihmuar në garantimin e sigurisë dhe qeverisjes nëpërmjet një koalicioni njerëzish", tha Blinken.
Duke vënë në dukje se beson se "pushtimi ushtarak nuk është i vazhdueshëm" në Rripin e Gazës, Blinken tërhoqi vëmendjen mbi krizën humanitare që vazhdon në enklavën e rrethuar.
Blinken e cilësoi Rripin e Gazës si një "zonë të katastrofës serioze" pasi Izraeli mbylli kalimet kufitare. Ai shtoi se kanë përjetuar "probleme të tmerrshme" për dërgimin e ndihmave në veri të Rripit të Gazës dhe se kanë "shqetësime të thella" edhe për situatën në jug për shkak se pikat kufitare janë të mbyllura dhe nuk funksionojnë me efikasitet./AA