SHBA nuk mbështet përdorimin e armëve me rreze të gjatë kundër Rusisë
Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon) tha se nuk mbështesin që kundër Rusisë të përdoren sistemet e armëve me rreze të gjatë që i janë dhënë Ukrainës, transmeton Anadolu."Nuk mbështesim përdorimin e aftësive të goditjes me rreze të gjatë kundër Rusisë. Por, municionet, sistemi multi-raketahedhës i lehtë (HIMARS) dhe gjëra të ngjashme po", deklaroi zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh në konferencën për media në pyetjen se për cilat sisteme të armëve nuk ka miratim që të përdoren nga Ukraina.
Ajo theksoi se forcat ruse vazhdojnë lëvizjet përreth Kharkivit dhe se sistemet e armëve me rreze të shkurtër mund të jenë të dobishme. "Nuk do të hyj në detaje të mëtejshme, por ne nuk mbështesim përdorimin e aftësive me rreze të gjatë brenda Rusisë", tha Singh.
Presidenti amerikan Joe Biden më 31 maj njoftoi se lejon që disa armë amerikane të përdoren nga Ukraina në territorin e Rusisë por që kjo leje është e kufizuar vetëm në rajonin e Kharkivit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në deklaratën e tij më 2 qershor, falënderoi sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin për miratimin që dha SHBA-ja mbi përdorimin e armës në fjalë./AA