Biden në Francë për të marrë pjesë në ceremonitë e Ditës D, takon homologun e tij francez
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka mbërritur në Francë për të marrë pjesë në ceremonitë e Ditës D dhe është takuar me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu.Kryeministri francez, Gabriel Attal, priti presidentin amerikan në aeroportin Paris-Orly.
Biden do të marrë pjesë në ceremoninë për të kujtuar 80-vjetorin e Ditës D dhe pushtimit aleat të Normandisë, ceremoni e mbajtur nga presidenti Macron në Francën veriore. Biden pritet të mbajë fjalim në bregun veriperëndimor të Francës të premten gjatë ceremonisë.
Presidenti amerikan gjithashtu do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin francez të shtunën, duke shënuar vizitën e tij të parë shtetërore zyrtare në vend.
Të premten, Parisi do të jetë nikoqir edhe i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të adresohet në dhomën e ulët të parlamentit francez, respektivisht në Asamblenë Kombëtare të Francës.
Zelenskyy gjithashtu do të pritet në takim nga Macron në pallatin presidencial ‘Elysee Palace’ për të diskutuar mbështetjen e Parisit për Kievin.
Gjithashtu pritet të zhvillohet një takim Biden-Zelenskyy, njoftoi të dje këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
- Dita D
Më 6 qershor të vitit 1944, plazhi Omaha ishte vendi i uljes për forcat aleate që mësyn në Evropë për të mposhtur forcat naziste që kishin pushtuar shumë qytete dhe fshatra në rajonin verior. Rreth 160 mijë trupa në 7 mijë varka zbarkuan atje, si dhe në plazhet e afërta Jutah, Juno, Sword dhe Gold.
I njohur zyrtarisht si Pushtimi i Normandisë, ai la 4.414 trupa të vrarë atë ditë, duke përfshirë 2.501 amerikanë, si dhe 5 mijë të tjerë të plagosur. Një total prej 9.843 trupash nga SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja u vranë në aksionin e 6 qershorit dhe në disa ditë më pas./AA