Spanja i bashkohet çështjes së ngritur nga Afrika e jugut në GJND kundër gjenocidit Izraelit në Gaza
Spanja ka vendosur t'i bashkohet çështjes së gjenocidit të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), tha të enjten ministri i jashtëm spanjoll. "Ne e morëm këtë vendim pas insistimit të Israelit për vazhdimin e operacionit ushtarak në Gaza," tha Jose Manuel Albares në një konferencë shtypi të thirrur urgjentisht. "Ne gjithashtu vëzhgojmë me shqetësim të madh shtrirjen rajonale të konfliktit," tha Albares. Spanja e mori këtë vendim jo vetëm për të "mundësuar që paqja të kthehet në Gaza dhe Lindjen e Mesme", por edhe për shkak të angazhimit të saj ndaj ligjit ndërkombëtar, shtoi ai.
“Ne kërkojmë të mbështesim gjykatën në zbatimin e masave paraprake, veçanërisht në dhënien fund të operacioneve ushtarake në Rafah në mënyrë që të kthehet paqja, si dhe pengesat për hyrjen e ndihmave humanitare që duhet të përfundojnë, po ashtu edhe shkatërrimi i infrastrukturës civile që duhet pushojë”, tha ministri.
Me këtë ndërhyrje në çështjen para GJND-së, tha Albares, "objektivi i vetëm i Spanjës është t'i japë fund luftës dhe më në fund të fillojë të ecë përpara në zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, e cila është e vetmja garanci për të arritur paqen dhe sigurinë për palestinezët, izraelitët dhe gjithë rajonin”.
Sulmet e ditëve të fundit treguan se masat paraprake "janë anashkaluar plotësisht dhe janë shumë larg realizimit", shpjegoi ai.
Ai siguroi se Spanja nuk ka "standarde të dyfishta" dhe vendosi të bashkohet me çështjen kundër Izraelit për "pikërisht të njëjtat arsye" si kur iu bashkua asaj të formuluar nga Ukraina kundër luftës së Rusisë.
Megjithatë, ai nuk komentoi nëse Spanja e njeh luftën në Gaza si "gjenocid" dhe tha se i takon gjykatës së lartë të OKB-së që ta zgjidhë këtë çështje pasi mendimi i tij personal "ka pak rëndësi".
Albares e shpalli këtë vendim në tension të plotë për shkak të kërcënimeve të Izraelit për të mbyllur Konsullatën Spanjolle në Jerusalem dhe pasi Madridi njohu zyrtarisht Palestinën si shtet -- një njohje e ndjekur nga Irlanda, Norvegjia dhe Sllovenia.
Të hënën, ministri tha se konsullata e vendit të tij në Jerusalem ka një "status shumë të veçantë dhe historik" dhe ka ekzistuar "shumë përpara se të krijohej një shtet izraelit", duke i kërkuar Izraelit të respektojë vendimet e tij.
Njoftimi i tij erdhi gjithashtu pasi të paktën 39 palestinezë të zhvendosur u vranë të enjten në një sulm ajror izraelit në një shkollë që strehonte mijëra njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat, në Rripin qendror të Gazës, sipas autoriteteve të Gazës.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, pavarësisht një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Afro 36,600 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese janë gra dhe fëmijë, dhe mbi 83,000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës ishin rrënojat mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid nga GJND-ja, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim që përpara se ajo të pushtohej më 6 maj./anews.com.tr