Presidenti Erdoğan u kërkon vendeve të botës të ndalojnë së furnizuari Izraelin me armë
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u bëri thirrje vendeve që vazhdojnë të furnizojnë Izraelin me armë që t’i japin fund “bashkëfajësisë së tyre në krimet e tij” në ofensivën e tij vdekjeprurëse disamujore në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.“Vendet që ofrojnë municion dhe mbështetje me armë për masakrat e Izraelit duhet tani të përmbahen nga bashkëpunimi në këto krime”, tha Erdoğan gjatë një konference të përbashkët shtypi në kryeqytetin Ankara me homologun e tij uzbek Shavkat Mirziyoyev.
Duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i dhënë fund “masakrës” së Gazës, Erdoğan u kërkoi gjithashtu të gjitha “palëve të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme të marrin timonin” për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 36.600 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe mbi 83.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Pothuajse tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Aviv të ndalojë menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./AA