Lidhje


Franca do që të dërgojë instruktorë ushtarakë në Ukrainë

Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon të krijojë një koalicion për dërgimin e instruktorëve ushtarakë në Ukrainë. "Disa partnerë ndërkohë e kanë dhënë miratimin", tha Macron në Paris në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski. "Ne nuk jemi vetëm, dhe do ta krijojmë këtë koalicion në ditët e ardhshme", shtoi presidenti francez, që nuk përmendi, se për cilat vende bëhet fjalë. Në disa sektorë dhe "në kushte të caktuara", është më eficiente dhe praktike të trajnosh ushtarët ukrainas. Ky nuk nënkupton përshkallëzim, tha Macron. "Nëse Ukraina drejton lutjen që të trajnojmë në tokën e saj sovrane ushtarë të mobilizuar, atëherë ky nuk është përshkallëzim.

 

Për europianët dhe aleatët kjo nuk është rrugë për të shkuar në front."Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski falënderoi Macron për idenë e dërgimit të instruktorëve. "Ne e mbështesim iniciativën e presidentit Macron, të dërgojë instruktorë në Ukrainë. Sepse kjo e lehtëson trajnimin", tha Zelenski që ndodhej për vizitë në Paris. Kurse një zëdhënës i ambasadës ruse në Paris u shpreh se dërgimi i këshilltarëve ushtarakë në Ukrainë i bën ata "një objektiv legjitim goditjeje". SHBA nuk marrin pjesë në koalicion

 

Macron nuk do të bëjë megjithatë një nismë të veçuar. Nuk dihet, nëse për këtë ide, Macron do të ketë mbështetjen e Gjermanisë. Pikërisht qeveria gjermane ka bërë gjithnjë të qartë, se nuk është e gatshme për trajnim në terren në Ukrainë. Edhe qeveria amerikane nuk planifikon të marrë pjesë në një iniciativë të tillë. Drejtori i komunikimit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, John Kirby tha, se presidenti Biden e respekton qëndrimin e Macron. Por presidenti amerikan ka bërë të qartë që nga fillimi i luftës, se nuk do të dërgojë ushtarë amerikanë atje. "Kjo ka qenë kështu deri tani dhe do të jetë kështu edhe në të ardhmen", tha Kirby. Macron pret të shtunën në Paris presidentin amerikan, Joe Biden.

/DW

XS
SM
MD
LG