Eurodeputetët që u zgjodhën nga burgu: Beleri s’është i vetmi, rasti i Ilaria Salis
Fredi Beleri nuk është i burgosur i vetëm, i cili nga qelia arriti të zgjidhej deputetet në Parlamentin Europian. Rasti tjetër është shënuar në Itali, ku Ilaria Salis, mori 165 mijë vota nën siglën e Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë.
“Nga këtu dërgojmë një përqafim të madh për Ilaria Salis, beteja për demokraci fillon sot por do të jetë edhe më e fortë”, shtoi zëdhënësi i të Gjelbërve, Angelo Bonelli.
Pas publikimit të fotos në gjykatë me zinxhirë në kyçet e dorës dhe kyçin e këmbës, rasti i Ilaria Salias, mori vëmendjen maksimale të të majtëve, të cilët u fokusuan kryesisht në temën e shtetit të së drejtës. Salis u bë pjesë e listës së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë me qëllimin e vetëm se zgjedhja si eurodeputete mund të ndikonte në lirimin e saj.
Videoja e Salis nga gjykata hungareze, u bë ndër videot më të klikuara në Tik Tok, duke rritur popullaritetin e saj.
Pas qëndrimit për rreth 14 muaj në paraburgim, Ilaria Salis tashmë po mbahet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” në Budapest.
U deshën disa ditë për të zbatuar vendimin e gjyqtarëve pas pagesës me kusht prej 40,000 euro.
Salis u arrestua më 11 shkurt 2023 së bashku me dy aktivistë gjermanë me akuzën e pjesëmarrjes në rrahjen e tre militantëve të ekstremit të djathtë, duke u akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal.
Pas muajsh tensionesh diplomatike dhe protestash kundër Hungarisë për paraburgimin e Salis, çështja e aktivistes mori një kthesë pasi ajo u emërua nga Aleanca e Gjelbër e Majtë në Itali si kandidate për zgjedhjet evropiane, ku rezultoi dhe fituese./EN